Aktakuzë për uzurpim në Ferizaj/Video
Driton Ramadani/RTK
Në Gjykatën Themelore të Ferizajt është shqyrtuar kërkesa e Ministrisë së Financave për masë sigurie ndaj një hapësire publike që pretendohet se është uzurpuar që nga viti 2004. Vendimi i gjykatës pritet brenda dy javësh.
Në Gjykatën themelore në Ferizaj është zhvilluar seanca lidhur me propozimin e masës së sigurisë i propozuar nga Ministria e Financave ndaj subjektit afaristë që shfrytëzon një pjesë të hapësirës në Ferizaj. Sipas tyre kjo hapësirë është uzurpuar tani e 20 vite.
“Kjo kërkesë mbështet në nenin 297 dhe 300 të ligjit 03 për procedure kontestimore dhe synon mbrojtjen e përkohshme të të drejtave pronësore dhe pasurore të paditëses mbi pronën e paluajtshme kontestimore”, tha Art Jashari, përfaqësues i autorizuar i MFPT.
Lidhur me këtë çështje në profilin e tij në rrjetet sociale ministri në Detyrë i Financave, Hekuran Murati ka shkruar “Tash e gati 20 vite, pensionistëve të rajonit të Ferizajt u është dashur të ngjiten në katin e dytë për të marrë shërbimet që u takojnë, sepse pjesa e katit të parë, ku realisht do duhej t’i merrnin shërbimet, ka qenë dhe vazhdon të jetë e uzurpuar paligjshëm nga një biznes që operon aty. Në lidhje me këtë, MFPT ka njoftuar Prokurorinë, nga e cila jemi njoftuar që tashmë është ngritur aktakuza për uzurpim të paligjshëm”.
Në anën tjetër avokati i palës së paditur ka kundërshtuar kërkesën për masës e sigurisë dhe se për këtë çështje është duke u zhvilluar një proces penal.
“Në fakt qysh nga fillimi e kemi kundërshtuar kërkesën e tyre. Klienti të cilën unë e përfaqësojë nuk është uzurpator, klienti imë është shfrytëzues i ligjshëm me një kontratë të ligjshme e cila asnjëherë nuk është ndërprerë edhe kontratat zakonisht në heshtje është vazhduar. Po ashtu kemi edhe një çështje penale çka që dispozitat e LPK-së janë të çarta kur kemi të bëjmë me një çështje penale çështja civile ndërpritet”, tha Gazmend Rexhepi, avokat.
Gjykatësi i këtij procesi Driton Ahmeti, ka bërë të ditur së brenda afatit ligjor prej 15 ditësh do të sjell aktvendimin lidhur më pranim apo refuzimin të kërkesës së palës paditëse.























