BSPK i jep mbështetje të plotë Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së
BKT
Lajme

BSPK i jep mbështetje të plotë Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së

N.M. /RTKlive

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës mbështetë Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së – SPERTK në përballjen e saj “të drejtë dhe legjitime me situatën shqetësuese të krijuar në Transmetuesin Publik të Kosovës”.

“Në themelet e një shteti të së drejtës, nuk mund të ketë demokraci funksionale pa garantimin e të drejtave themelore të punëtorëve. Fjalët e mëdha për shtetndërtim, pa punëtorin brenda, mbesin të zbrazëta. Pikërisht në këtë kontekst, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës - BSPK shpreh mbështetje të fuqishme dhe të pakushtëzuar për Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së - SPERTK, në përballjen e saj të drejtë dhe legjitime me situatën shqetësuese të krijuar në Transmetuesin Publik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

Kjo sindikatë thotë se mosshpërndarja e mjeteve buxhetore për gjashtëmujorin e dytë si pasojë e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka sjellë në një pozitë të rëndë sociale dhe ekzistenciale qindra punëtorë të RTK-së.

“Ata tashmë janë nën kërcënimin real që të mbesin pa paga, që për shumë prej tyre është i vetmi burim jetese. Kjo nuk është thjesht çështje administrative, po është çështje dinjiteti njerëzor, çështje përgjegjësie shtetërore dhe çështje rendi demokratik. RTK nuk është thjesht një institucion mediatik. RTK është një përfaqësim publik i zërit të qytetarëve, i garantuar me Kushtetutë dhe i mbështetur me ligj. Bllokimi i funksionimit të tij për arsye politike ose teknike është jo vetëm jolegjitim, por është edhe i dënueshëm në ndërgjegjen e çdo shoqërie që synon drejtësinë”, thuhet tutje në këtë reagim.

BSPK bënë thirrje te të gjitha institucionet përgjegjëse, përfshirë ato në detyrë, të veprojnë menjëherë, të bëjnë shpërndarjen e buxhetit dhe të garantojnë funksionimin normal të RTK-së. Sipas tyre mosreagimi nuk është më një opsion po është një neglizhencë që kërcënon stabilitetin ekonomik të qindra familjeve, si dhe misionin informues e edukues të transmetuesit të vetëm publik në vend.

BSPK thotë se mbështet fuqimisht të gjitha format demokratike të reagimit sindikal të paralajmëruara nga SPERTK.

Mbrojtja e pagës nuk është luks po është kushti i parë për punë të ndershme dhe jetë të dinjitetshme. Çdo përpjekje për të zbehur ose për të injoruar këtë realitet, është sulm ndaj vetë shtyllës së drejtësisë shoqërore. Bëjmë thirrje për unitet punëtor dhe ndërgjegjësim shoqëror. Në kohë të turbullta politike, është pikërisht sindikata ajo që mban gjallë shpresën për barazi, dinjitet dhe drejtësi.Nëse ndalet zëri i punëtorit, hesht edhe shoqëria!” thuhet në fund të kësaj komunikate të BSPK-së.


MË SHUME NGA Lajme