Dështon për herë të 50-të konstituimi i Kuvendit
A.B / RTKlive
(E plotësuar, ora 11:33) Për herë të 50-të sot ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.
Nga deputetë të pranishëm në sallë, për votuan 53 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.
Dehari ndërpreu punimet dhe njoftoi se seanca e 51-të do të mbahet të mërkurën më 23 korrik, ora 11:00).
LIVE|Përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës
(E plotësuar, ora 11:25) Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të hënën, për herë të 50-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Nën drejtimin e deputetit Avni Dehari të shtunën vazhdoi punimet seanca konstituive e Legjislaturës së Nëntë, me pikën e tretë të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Kryesuesi i seancës përsëriti kërkesën për subjektet politike për propozime për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë.
Në mungesë të propozimeve, kryesuesi Dehari procedoi me hedhjen në votim të komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Për përbërjen e komisionit votuan 50 deputetë, ndërsa kundër dhe abstenim nuk pati.























