Sindikata e RTK-së thërret konferencë për media, paralajmëron protestë
BKT
Lajme

Sindikata e RTK-së thërret konferencë për media, paralajmëron protestë

V.S|RTKlive

(E përditësuar 17:30 ) Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka ftuar mediat që të marrin pjesë në një konferencë për media, e cila do të mbahet nesër, të martën, më 22 korrik 2025, në ora 11:00, në ambientet e RTK-së (holi i ndërtesës kryesore) RTK-1.

"Qëllimi i konferencës është të informojmë opinionin publik dhe mediat mbi protestën që Sindikata do të organizojë, duke bërë publike datën, orën dhe kërkesat tona të drejta që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e ligjit në Radio Televizionin e Kosovës," thuhet në njoftimin e Sindikatës.

(14:24) RTK në krizë financiare, Sindikata paralajmëron protesta e greva

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) thotë se nga dita e premte e javës së shkuar është angazhuar intensivisht me të gjitha palët përgjegjëse, me qëllim që Radio Televizionit të Kosovës t’i shmangen vështirësitë financiare dhe të garantohet funksionimi normal i punës dhe i shërbimit publik.

SPERTK ka kërkuar që sa më shpejt të alokohet pjesa tjetër e buxhetit të miratuar më herët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të siguruar vazhdimësinë e misionit të RTK-së pa pengesa financiare.

“Theksojmë se në muajin nëntor 2024, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, përmes Avokatit të Popullit, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zvogëlimin për 2 milionë euro të buxhetit të RTK-së. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për këtë rast, ndaj mbetemi në pritje të një vendimi të drejtë dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në letrën e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

U kanë bërë thirrje të gjitha partive politike, pa dallim, që të ndërhyjnë menjëherë dhe të gjejnë zgjidhje urgjente për të mos lejuar që RTK të dëmtohet financiarisht dhe të rrezikohet puna e qindra punëtorëve.

“Kujtojmë se edhe në vitin 2021, megjithëse nuk kishte institucione funksionale në të gjitha nivelet, u gjetën metoda ligjore për alokimin e mjeteve dhe shmangien e krizës financiare”, thotë sindikata.

Ata kanë paralajmëruar se nëse deri më datën 5 gusht 2025 nuk alokohet buxheti  do të fillojnë me protesta e greva.

“Sindikata do të iniciojë padi për shkelje të ligjit dhe nga data 6 gusht 2025 do të fillojë me protesta dhe greva të lejuara me ligj, deri në realizimin e kërkesave të drejta të punëtorëve dhe garantimin e stabilitetit financiar të transmetuesit publik”, thuhet në letrën e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.

SPERTK thotë se mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë, të sigurojë që RTK të ketë financim të qëndrueshëm, pavarësi editoriale dhe kushte të dinjitetshme pune për të gjithë punëtorët e saj.


MË SHUME NGA Lajme