Nëse nuk alokohen mjetet, Sindikata paralajmëron protestë e grevë
BKT
Në Fokus

Nëse nuk alokohen mjetet, Sindikata paralajmëron protestë e grevë

V.S|RTKlive

Nëse deri më datën 5 gusht institucionet përgjegjëse nuk i alokojnë mjetet për RTK-në, Sindikata e Punëtorëve ka paralajmëruar që me 6 gusht do të protestojnë.

Në një konferencë për media në objektin e televizionit publik, Gëzim Bimbashi nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së tha se pas protestës pritet të ketë edhe grevë.

“SPERTK po e shpreh sot publikisht shqetësimin dhe indinjatën e saj për situatën alarmante në të cilën ndodhet Radio Televizioni i Kosovës, si pasojë e mungesës së alokimit të buxhetit dhe bllokimit të kapaciteteve tona. RTK-ja, si shërbim publik, ka detyrim kushtetues dhe ligjor për të informuar qytetarët në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Mungesa e buxhetit po e vë në pikëpyetje këtë mision themelor. Si pasojë e moskonstituimit dhe mosveprimit, RTK është bllokuar. Megjithatë, duhet ta themi qartë se nga ky bllokim nuk mbesin pa paga deputetët dhe zyrtarët shtetërorë, por punëtorët e RTK-së, të cilët edhe pse kanë buxhetin të ndarë me ligj, nuk po mund t’i marrin pagat e tyre. Nëse kjo gjendje vazhdon, mbesin mbi 700 punëtorë pa paga, bllokohet programi dhe rrezikohet seriozisht informimi i publikut”, deklaroi në konferencë për media ai.

Ai ka thënë se në vitin 2021, kur pavarësisht mungesës së institucioneve funksionale, janë gjetur zgjidhje ligjore për alokimin e mjeteve.

“Kërkojmë që të veprohet me të njëjtën përgjegjësi edhe sot. SPERTK u bën thirrje të gjitha partive politike dhe institucioneve që të mos e përdorin RTK-në për interesa politike, por ta mbrojnë atë si pronë publike dhe si një ndër shtyllat e demokracisë. SPERTK mbetet e vendosur të ndërmarrë të gjitha veprimet sindikale të nevojshme për mbrojtjen e punëtorëve dhe të RTK-së si shërbim publik”, tha ai.


MË SHUME NGA Në Fokus