Osmani i drejtohet Kushtetueses, kërkon qartësi `nëse nuk bëhet Kuvendi`
V.S|RTKlive
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka treguar se ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për qartësi se çfarë ndodhë pas 30 ditëshit të përcaktuar me aktgjykimin e fundit për konstituimin e Kuvendit.
Në konferencë për media ajo tha se nuk deshën që të flisnin para se ta bënin dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo e ka quajtur të paprecedentë në jetën institucionale situatën aktuale.
“Dua të iu njoftoj që sot në përmbushje të përgjegjësisë sime kushtetuese për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit kam paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuar nga mungesa e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo është një kërkesë që paraqitet pas një situate të paprecedentë në jetën institucionale të vendit tonë, ku pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka paraqitur afatin kushtetues të detyrueshëm kanë mbetur vetëm pak ditë”, tha ajo.
Por, e para e shtetit tha se nuk shihen në horizont as kompromisi as konsensusi brenda këtij afati kushtetues.
“Duke qenë se çdo afat i detyrueshëm kushtetues e çdo moszbatim i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë edhe pasoja juridike, por ato nuk janë sqaruar në aktgjykimin paraprak, kërkesa jonë është kërkesë për qartësimin e pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30 ditësh. Kjo kërkesë ka karakter preventiv, është kërkesë që bëhet për shkak të parandalimit të pasojave të pariparueshme dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e praktikat e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Tutje e para e shtetit tha se kërkesa e dërguar në Kushtetuese nuk e paragjykon epilogun në afatin prej 4 ditësh për konstituim. Tha se nëse ka ndonjë sukses në konstituimin e Kuvendit brenda 4 ditësh ata mund ta tërheqin kërkesën.
“Edhe pse qartësitë për çështjet që i kemi ngritur në këtë kërkesë ne besojmë që janë esenciale jo vetëm për këtë legjislaturë, por edhe në të ardhshmet”, tha presidentja.
Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani tha se bashkë me kërkesën për interpretim, kanë paraqitur kërkesën për masë të përkohshme për pezullim të rrjedhjes së afatit prej 30 ditësh.
“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pafund dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të krijoheshin në mënyrë kundërkushtetuese e do të ishin të pasafatshme. Kërkesa është që të parandalohet dëmi i pariparueshëm e të mbrohet interesi publik, dy kritere që duhet të plotësohen për masë të përkohshme. Përkundër përpjekjeve të mija të vazhdueshme për të lehtësuar komunikimin e bashkëpunimin mes subjekteve politike, Kuvendi ende nuk është konstituuar”, tha Osmani para gazetarëve.
Tha se qeveria po funksion me kompetenca të kufizuara e institucioni i presidencës nuk mund të ushtrojë në mënyrë të plotë kompetencat kushtetues për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
“Shumë kompetenca të presidencës janë të ndërvarura me Kuvendin, siç janë ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, çështjet me ushtrinë, rendin kushtetues, dekretimi i ligjeve, apo rikthimi i ligjeve”, tha ajo.
Osmani ka treguar saktë pyetjet që kanë kërkuar sqarim.
“Në rast të mos respektimit të afatit se a do të ishte një Kuvend kundërkushtetues nëse konstituohet pas 26 korrikut, se a do të ishte një qeveri e votuar nga ai Kuvend po ashtu kundërkushtetues, se a mundet presidenca ta caktojë mandatarin që rrjedhë nga një Kuvend kundërkushtetues dhe a do të mund presidenca ta caktojë mandatarin i cili do të votohet në një Kuvend i cili nuk është themeluar me Kushtetutën. Të gjitha këto janë çështje që janë adresuar në kërkesën tonë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit kushtetues. Kjo nuk është situatë hipotetike, por krizë reale e cila mund të rëndohet akoma më shumë pas kalimit të afatit 30 ditor”, deklaroi Osmani.
Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike të veprojnë me përgjegjësi.
“Në këtë moment vendimtar për demokracinë e stabilitetin e vendit tonë u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që të veprojnë me përgjegjësi, t’i japin fund bllokadës e tu japin qytetarëve atë që ë u takon me kushtetutë. Kjo kërkesë e dorëzuar në gjykatë nuk është zgjedhje politike, por një obligim kushtetues e moral ndaj popullit që ka votuar për të pasur institucione funksionale. Zëri i popullit është më i fuqishëm se çdo bllokadë e Kushtetuta gjithnjë duhet të jetë mbi çdo llogari tjetër politike”, tha Osmani.























