Pikat kryesore të kërkesës së Osmanit drejtuar Kushtetuesës |DOKUMENT
RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Kërkesa për vlerësimin e konfliktit më nes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113(3)(1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e dorëzuar nga presidentja Osmani në Gjykatën Kushtetues përmban 27 faqe.
"Cenimi i vazhdueshëm i parimeve themelore të rendit kushtetues përbën jo thjesht krizë institucionale, por rrezik real për destabilizimin e vetë themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Republikës së Kosovës. Një rend kushtetues që nuk është funksional në praktikë, nuk mund të garantojë as të drejta, as përfaqësim, as llogaridhënie, dhe, për pasojë, nuk mund të ruajë legjitimitetin e tij as tek qytetarët. Prandaj, sipas sqarimeve të bëra në këtë kërkesë, është esenciale që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe zgjidhë këtë konflikt kompetencash, në mbrojtje të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës", thuhet në dokumentin e siguar nga RTKlive.
Tutje në dokument theksohet se me qëllim të parandalimit të dëmeve të pariparueshme për vendin, dhe si çështje me interes tejet të lartë publik, i kërkojmë me respekt Gjykatës Kushtetuese pezullimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri në vendosjen, lidhur me meritat e këtij rasti.
"Vendosja e masës së përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit 30-ditor është në interes publik të vendit, për të mundësuar, siç ka theksuar Gjykata Kushtetuese: “që ai të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar”. Siç është vlerësuar nga vetë Gjykata në Aktgjykimin në rastin nr. KO 124/25, Kuvendi i Republikës së Kosovës është përfaqësues i sovranit, prandaj idealet e sovranitetit të mishëruara në Kushtetutë mbeten zotime të papërmbushura në mungesë të funksionalitet të organit përfaqësues apo institucioneve tjera kushtetuese e shtetërore [Aktgjykimi në Rastin nr. KO 124/25, paragrafi 105]."
"Vendosja e masës së përkohshme në situatën aktuale, është e vetmja mundësi që shmang hyrjen e institucioneve në një krizë tjetër edhe më të thellë dhe pa rrugëdalje pas afatit 30 ditor. Rrjedhimisht, në vijim do të argumentohet se masa e përkohshme është i vetmi mjet që parandalon dëm të pariparueshëm si dhe është në dobi të interesit publik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj" thuhet në kërkesën e Presidencës drejtuar Kushtetueses.
Kërkesat që Presidentja ia parashtroi Gjykatës Kushtetuese:
I. Ta shpallë kërkesën të pranueshme;
II. Ta miratojë kërkesën për masë të përkohshme;
III. Ta bëjë vlerësimin preventiv (ex ante) të konfliktit të kompetencave mes
institucioneve kushtetuese në rast të konstituimit të Kuvendit pas afatit kushtetues;
IV. Ta zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat
juridike të mungesës së konstiuimit të Kuvendit brenda afatit të caktuar në nenin 66 (1)
të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO 124/25;
V. Ta zgjidhë konfliktin kushtetues të kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat
juridike të konstituimit të Kuvendit pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës
dhe Aktgjykimit KO 124/25;
VI. Ta zgjidhë konfliktin e kompetencave, përfshirë lidhur me pasojat në ushtrimin e
kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që mund të
27
konstituohet pas afatit të caktuar në nenin 66 (1) të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO
124/25;
VII. T`i sqarojë të gjitha efektet e tjera juridike lidhur me moskonstituimin e Kuvendit
brenda afatit kushtetueS.























