`Pesë fytyrat e heshtjes` në Prizren Fest
BKT
Kulturë

`Pesë fytyrat e heshtjes` në Prizren Fest

Sh.G|RTKlive

Festivali i Prizrenit, që nisi më 21 korrik, ka arritur në ditën e tij të tretë. Dita e dytë u hap me një workshop për fëmijë, e më pas vazhdoi me dy shfaqje për ta. Në skenën për të rritur, nata nisi me një ekspozitë, pastaj vazhdoi me shfaqjen komedi e zezë nga Teatri i Qytetit të Prizrenit, "Bekim Femiu", dhe përfundoi me një performancë nga artistë nga Anglia.

Ndërsa në ditën e tretë pritet të luhen katër shfaqje, ku në fokus është edhe drama "Pesë fytyrat e heshtjes" nga regjisori Altin Basha. Në një intervistë drejtpërdrejt nga Prizreni, regjisori ka zbuluar më shumë rreth kësaj shfaqjeje.

“Kemi të bëjmë me një dramë të fuqishme familjare e cila adreson çështjet e dhunës në familje, të ciklit të dhunës, në mënyrën se si ajo prodhohet në jetën e individit dhe pastaj se si ajo rritet bashkë me individin dhe përkthehet në dhunë për të tjerët. Është një vepër intriguese. Shfaqja ka katër aktorë, dy aktore të reja të cilat sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre në botën e artit, si dhe dy aktorë tashmë të dëshmuar, Dritan Buriçi dhe Rozi Kostani,” tha Altin Basha, regjisor i shfaqjes.

Ai shtoi se në përgjithësi e dimë që jetojmë me një shoqëri të dhunshme dhe e dimë që dhuna në familje është prezente në tërësi.

"Edhe shoqëria, edhe qeveritë janë të vetëdijshme për këtë dhe ka sigurisht shumë programe për të adresuar këtë problematikë, por është një proces i gjatë dhe i vështirë, që kërkon bashkëveprimin e shumë faktorëve dhe aktorëve socialë, si janë shkollat, institucionet e artit dhe kulturës, të cilat në mënyrë graduale bëjnë edhe vetëdijesimin e shoqërisë për të arritur një nivel reflektimi për çështjet që e shqetësojnë shoqërinë", tha Basha.

Regjisori thekson edhe rëndësinë e trajtimit të temave të tilla në teatrin bashkëkohor.


“Duhet të trajtohen tema të tilla. Unë mendoj që teatri i mirë nuk është vetëm ilustrativ, teatri i mirë nuk është vetëm një mënyrë për të kaluar kohën duke u ulur dhe vetëm tuj e shijuar skenën, sepse prej krijimit të tij, teatri është motivuar nga problematikat e shoqërisë, nga historia dhe nevoja për të adresuar ato sfidimet e shoqërisë dhe është një formë për të reflektuar dhe për të parë se ku jemi', theksoi ai.


MË SHUME NGA Kulturë