Takime bilaterale për bashkëpunim në fushën e rikthimit të aseteve
V.Th / RTKLive
Delegacioni i Zyrës për Rikthimin e Aseteve nga Kosova, i udhëhequr nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, dhe i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve ligjzbatuese, ka zhvilluar takime bilaterale me delegacionet homologe nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.
Takimet janë mbajtur në kuadër të punëtorisë rajonale për rikthimin e aseteve, organizuar në Tiranë më 22 dhe 23 korrik 2025, ku u diskutuan tema kyçe si infrastrukturat ligjore për rikthimin e aseteve, shkëmbimi i përvojave praktike dhe rritja e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, njofton Sistemi Prokurorial
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin prezantime nga ekspertët e UNODC, të cilët ndanë praktikat më të mira ndërkombëtare nga vende si Zelanda e Re, Italia dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, me fokus të veçantë në çështjet e konfiskimit dhe rikthimit të pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme.























