OVL-UÇK kërkon sigurimin e menjëhershëm financiar për të burgosurit në Hagë
V.Th / RTKLive
Organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së ka dërguar një letër drejt ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ku kërkon sigurimin e menjëhershëm të mjeteve të nevojshme financiare për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Hagë.
Në letrën e organizatës thuhet se shprehin shqetësimin e thellë lidhur me mungesën e mbështetjes financiare institucionale për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të të burgosurve në Dhomat e Specializuara në Hagë. Sipas tyre, proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj pjesëtarëve të UÇK-së përfaqësojnë jo vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës sonë çlirimtare.
Ndërkohë, më herët Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se deri më tani janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen juridike në procesin gjyqësor në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së.
“Ministria e Drejtësisë ka njoftuar opinionin publik se nga fillimi i procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, e deri më datë 24 korrik 2025, janë realizuar pagesa të rregullta në përputhje me obligimet ligjore dhe marrëveshjet e parashikuara për përkrahjen e mbrojtjes juridike”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Sipas njoftimit, në total janë paguar 32,944,287.77 euro, ndërsa shuma e shpenzuar për mbrojtjen e ish presidentit Hashim Thaçi ka arritur në 5,353,301.02 euro.























