Osmani në takim lamtumirës me diplomaten sllovene
BKT
Lajme

Osmani në takim lamtumirës me diplomaten sllovene

V.S|RTKlive

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim lamtumirës ambasadoren e Sllovenisë, Minca Benedejqiq e cila po e përfundon mandatin si diplomate në Kosovë.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të ambasadores Benedejqiq në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për përkushtimin e saj në thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme”, njofton Presidenca e Kosovës.

Tutje, sipas zyrës presidenciale, gjatë mandatit të ambasadores Benedejqiq, janë realizuar vizita të shumta të nivelit të lartë ndërmjet dy shteteve, të cilat, thonë se kanë forcuar më tej raportet ndërshtetërore, duke reflektuar miqësinë dhe solidaritetin e ndërsjellë që karakterizon marrëdhëniet ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij slloven.

“Në këtë kontekst, presidentja Osmani vlerësoi rolin e Sllovenisë në mbështetje të Kosovës, që nga periudhat më të vështira historike e deri sot përmes mbështetjes në përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin nga zyra e Osmanit.

 


MË SHUME NGA Lajme