Dështon për herë të 53-të konstituimi i Kuvendit, vazhdon sonte në 22:00
BKT
Lajme

Dështon për herë të 53-të konstituimi i Kuvendit, vazhdon sonte në 22:00

Sh.Ç /RTKlive

(E plotësuar, ora 14:30) Për herë të 53-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Nga deputetë të pranishëm 107 në sallë, për votuan 56 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Abelard Tahiri nga PDK-ja kërkoi që Dehari që të kthehet në pikën e rendit të ditës, duke respektuar Kushtetutën. Edhe Jehona Lushaku-sadriu nga LDK-ja, kërkoi që të kthehet në pikën e  rendit të ditës dhe të mos shkelet kushtetuta. Edhe Time Kadriajaj nga AAK-ja, kërkoi nga Dehari që të kthehet më pikën e  rendit të ditës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, bëri me dije se seanca mbahet sonte në orën 22:00

Përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar, ora 14:10) Deputetët pritet të mblidhen sot, për herë të 53-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Limaj: Nuk po shoh mundësi të ndonjë ndryshimi sot

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se as sot nuk pret të ketë ndryshim sa i përket votimit në seancën për konstituimin e Kuvendit. Ai ka thënë se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“S’po shoh mundësi të ndonjë ndryshimi sot”, ka theksuar Limaj.

Kadrijaj: Kurti po e mban peng vendin, sepse nuk i ka votat

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka deklaruar para seancës së sotme konstituive të Kuvendit se vendi po mbahet peng tash e gjashtë muaj nga Albin Kurti dhe partia e tij.

Kadrijaj, ka theksuar se Albin Kurti nuk ka siguruar shumicën e nevojshme të votave.

Kadrijaj vlerësoi se zvarritja e procesit për më shumë se gjashtë muaj dhe kandidatura e Albulena Haxhiut për një komision të fshehtë, është dëshmi se Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend.

“Është hera e parë, prej kur jam deputete, që nuk kemi asnjë informacion institucional. E kemi ditur se nëse nuk ndodh sot, do të ndodhë nesër, por kjo zvarritje është e qëllimshme. Kurti po i mban peng institucionet tash e gjashtë muaj”, ka theksuar ajo.

Deputetja e AAK-së kërkoi që nëse nuk ka votat për të siguruar shumicën e thjeshtë, atëherë Vetëvendosje duhet të tërhiqet nga ky proces.

Zemaj: Nuk pres që të ketë institucione të reja as pas dy jave

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka deklaruar se me logjikën aktuale politike dhe bllokadën që sipas tij po vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk pret që vendi të ketë institucione të reja as pas dy jave.

“Duhet shfrytëzuar çdo moment, çdo minut që të kemi institucione të reja. Por me këtë logjikë dhe këtë bllokadë që është evidente nga VV-ja, nuk pres që mund të ketë diçka as pas dy jave”, ka deklaruar Zemaj.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme që ndalon çdo veprim për konstituimin e Kuvendit të ri.

Sipas vendimit të publikuar, masa është vendosur nga data 27 korrik deri më 8 gusht 2025, periudhë gjatë së cilës deputetëve u ndalohet të ndërmarrin çdo vendim apo veprim që lidhet me konstituimin e organeve të reja parlamentare.

Murati numëron vota: Duhet vetëm vullneti i deputetëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka theksuar se do të mund të bëheshin 64 vota sot, nëse do të kishte vullnet individual të deputetëve. Sipas tij, me vullnet politik tejkalohet bllokada.

“Jemi te numri 57 me votat e Nismës mbi 60, jemi shumë afër. Me votat e Duda Baljes e Veton Berishës bëhen 62, me votën e Lutfi Hazirit që ka thënë ‘do bëhem vota 61’, bëhemi 63. Madje edhe me votën e  Bekë Berishën bëhemi 64. Nuk është problem që të sigurohen votat për ta tejkaluar këtë ngërç vetëm duhet vullnet”, ka deklaruar ai para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive..

Sot përpjekja e 53-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot, për herë të 53-të, në një përpjekje tjetër për ta konstituar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Vazhdimi i seanës fillon në orën 14:00. Kuvendi i Kosovës dështoi të konstituohet dje në përpjekjen e 52-të, një ditë para skadimit të afatit të vënë nga Gjykata Kushtetuese për finalizimin e procesit.

Lëvizja Vetëvendosje fajëson partitë tjera për bllokadën, Nisma Socialdemokrate bën thirrje që të pritet një tjetër aktgjykim i Kushtetueses.

Diplomatët perëndimorë shprehën shqetësim për krizën institucionale, teksa qytetarët gjithnjë e më shumë po humbin besimin për një marrëveshje midis partive.

Dje kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati.

Nga deputetë të pranishëm 107 në sallë, për votuan 54 deputetë, nuk pati asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Vlora Çitaku nga PDK kërkoi që Dehari që të kthehet në pikën e rendit të ditës. Edhe Hykmete Bajrami nga LDK, kërkoi nga Dehari që të khehet në pikën e  rendit të ditës. Edhe Time Kadriajaj nga AAK, kërkoi nga Dehari që të kthehet më pikën e  rendit të ditës.


MË SHUME NGA Lajme