Hundozi: Për RTK-në duhet të gjendet një zgjidhje urgjente
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Lajme

Hundozi: Për RTK-në duhet të gjendet një zgjidhje urgjente

RTKlive

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi, ka thënë se pas skadimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, tashmë kemi hyrë në një realitet të ri, i cili pritet të zgjasë më shumë sesa afati kohor, brenda të cilit për RTK-në duhet të gjendet një zgjidhje urgjente.

"Kjo zgjidhje është e domosdoshme për të siguruar funksionimin e pandërprerë të RTK-së dhe për të shmangur skenarin më të padëshiruar — ndërprerjen, qoftë edhe të përkohshme, të punës së saj", ka shkruar ai në Facebook'.

Sipas tij, në këtë situatë të jashtëzakonshme, ne besojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës është institucioni i vetëm shtetëror, aktualisht funksional, që mund të trajtojë këtë problem dhe të gjejë një zgjidhje që mundëson vazhdimin e funksionimit të pandërprerë të transmetuesit publik.

Statusi i plotë i Hundozit i postuar në Facebook


Në situata të jashtëzakonshme, nuk mund të sillemi zakonshëm.

Javën e kaluar kishte pak shpresa për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, pas skadimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, tashmë kemi hyrë në një realitet të ri, i cili pritet të zgjasë më shumë sesa afati kohor, brenda të cilit për RTK-në duhet të gjendet një zgjidhje urgjente. Kjo zgjidhje është e domosdoshme për të siguruar funksionimin e pandërprerë të RTK-së dhe për të shmangur skenarin më të padëshiruar — ndërprerjen, qoftë edhe të përkohshme, të punës së saj. Një situatë të tillë, Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund ta lejojë.

Në rrethana normale, të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin e saj, RTK-ja do t’i diskutonte dhe zgjidhte vetëm me Kuvendin e Kosovës, themeluesin e saj. Mirëpo, që nga fillimi i korrikut, transmetuesi publik po funksionon pa mjete buxhetore, për shkak se Kuvendi nuk është konstituuar dhe nuk ka komision parlamentar që të autorizojë transferimin e pjesës së dytë të buxhetit në llogarinë e RTK-së, ndonëse këto mjete janë pjesë e buxhetit vjetor të miratuar në fund të vitit të kaluar nga vetë Kuvendi i Kosovës.

Për këtë arsye, pa dëshirën tonë, ne jemi të detyruar që, për tejkalimin e kësaj situate, t’i drejtohemi Ministrisë së Financave, Punes dhe Transfereve, ne kuader te se ciles funksionon edhe Thesari i Kosoves. Ne e kuptojmë hezitimin e Qeverisë për të ndërhyrë në një proces që, në kushte normale, do t’i takonte Kuvendit. Megjithatë, në këtë situatë të jashtëzakonshme, ne besojmë se Qeveria e Republikës së Kosovës është institucioni i vetëm shtetëror, aktualisht funksional, që mund të trajtojë këtë problem dhe të gjejë një zgjidhje që mundëson vazhdimin e funksionimit të pandërprerë të transmetuesit publik.

Na ndajnë vetëm pak ditë nga afati ligjor kur RTK është e detyruar të ekzekutojë pagat e punëtorëve për muajin korrik. Përveç pagave, RTK ka edhe obligime të tjera kontraktuale, të domosdoshme për funksionimin e saj të rregullt — përfshirë shpenzimet komunale dhe pagesat ndaj operatorëve ekonomikë për mallra dhe shërbime. Pa transferimin e pjesës së dytë të buxhetit, RTK-së i pamundësohet përmbushja e këtyre obligimeve.

Prandaj, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës që të veproje me kujdesin e duhur institucional dhe ligjor, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e shpejtë për këtë situatë, që mundëson transferimin e mjeteve që i përkasin RTK-së. Ne jemi të gatshëm qe të kontribuojmë me çdo formë bashkëpunimi apo diskutimi që kërkohet, për të gjetur një zgjidhje konkrete që garanton vazhdimësinë institucionale të transmetuesit publik të Kosovës.

Njëkohësisht, i falënderoj të gjitha institucionet dhe organizatat, vendore dhe ndërkombëtare, për mbështetjen e ofruar ndaj RTK-së, për shprehjen e shqetësimit lidhur me situatën aktuale të buxhetit të RTK-së dhe për kërkesën për një zgjidhje të menjëhershme për tejkalimin e kësaj krize. Do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë, për të diskutuar këtë dhe çdo çështje tjetër lidhur me RTK-në.

RTK është më shumë se një medium – është një pasuri publike që i shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës. Funksionimi i saj i pandërprerë është thelbësor për vendin. Prandaj, mbështetja për zgjidhjen e shpejtë të situatës aktuale është në interes të publikut dhe të vetë funksionimit demokratik të shoqërisë.

 

TEMAT:


MË SHUME NGA Lajme