AGK i reagon deputetes Pacolli, akuzoi gazetaren e RTK-së
BKT
Në Fokus

AGK i reagon deputetes Pacolli, akuzoi gazetaren e RTK-së

M.Sh/RTKLive

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar të hënën në mbrëmje, kundër deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli e cila në një status në rrjetin e saj social Facebook, ka akuzuar redaktoren e RTK-së, Blerta Foniqi-Kabashi për "mungesë profesionalizimi dhe njëanshmëri politike" në udhëheqjen e magazinës informative “Info Plus”.

“AGK është i shokuar me sulmin e paprecedent, personal dhe shumë të rrezikshëm të deputetes së partisë politike, Vetëvendosje, Fitore Pacolli kundër gazetares së RTK-së, Blerta Foniqi – Kabashi. Deputetja Pacolli e ka shënjestruar gazetaren e Transmetuesit Publik, RTK disa orë pas një interviste të përbashkët në emisionin “Info Plus”, ku ajo u pyet për të gjitha zhvillimet aktuale, duke përfshirë raportimet për përfitimet e mundshme të familjarëve të saj nga buxheti i shtetit”, thuhet në fillim të reagimit të AGK-së.

Pacolli ka shkruar se gazetarja “kishte misionin e porositur nga jashtë” dhe se “pyetjet e saj ishin të dirigjuara”.

“Kjo formë e linçimit të gazetares nga një deputete e zgjedhur është jashtëzakonisht e rrezikshme, dhe u jep platformë mijëra të tjerëve që të vazhdojnë sulmet. AGK-ja e fton deputeten Pacolli dhe të gjithë zyrtarët e tjerë që të përmbahen nga deklaratat e komentet nxitëse kundër gazetarëve, dhe në vend të kësaj të ofrojnë transparencë, duke u përgjigjur në të gjitha pyetjet e interesit publik”, thuhet në reagimin e AGK-së.Ndërsa vet deputetja Pacolli thotë se gazetarja Foniqi-Kabashi “funksionon me porosi”.    

“...Sepse kur gazetaria bëhet zgjatim i interesave të mercenarëve, pavarësia është fjala e parë që sakrifikohet. Paskan thënë se kinse kam kaluar keq në intervistë dhe se paska qenë e sikletshme. Aspak. Por, thjeshtë nuk ia dhashë atë kënaqësi gazetares që e kishte misionin e porositur nga jashtë”, shkruan Pacolli.

Ajo tha se për gazetaren e RTK-së, “nuk kishte rëndësi përgjegjësia që ka ndaj publikut por si do të vlerësohej ajo nga ata që e udhëzonin nga prapaskena”. Po ashtu Pacolli thotë se gazetarja e RTK-së ka interesa personale me parti opozitare.

Ndryshe, sot në magazinën “Info Plus” në RTK ka qenë deputetja Pacoll, e cila ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, përfshirë buxhetin e RTK-së, masën e përkohshme të Kuvendit, sulmet e shpeshta ndaj saj dhe akuzuat për nepotizëm në grande.


MË SHUME NGA Në Fokus