Bizneset me thirrje për pezullim të vendimit për ndërprerje të energjisë
V.S/RTKlive
Takim të përbashkët me bizneset kanë zhvilluar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës aty ku është diskutuar çështja e furnizimit me energji elektrike për bizneset që kanë dalë në treg të lirë.
Në njoftimin që ka përcjellë Dhoma e Tregtisë e Industrisë, thotë se drejtuesi i tyre Skënder Krasniqi, ka përmendur hapat e ndërmarrë deri më tani, edhe letrat që thonë se i kanë dërguar Komisionit Evropian, Sekretariatit për Energji në Vjenë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Përkundër kërkesave të vazhdueshme dhe prezantimit të fakteve për një numër të madh të shkeljeve nga ZRRE, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që t’u gjendet bizneseve, të cilat mbushin mbi gjysmën e buxhetit të shtetit”, thotë DHTIK.
Ndërkohë bëhet e ditur se drejtori i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Besnik Vasolli ka thënë se procesi është përcjellë e po vazhdon të përcillet me paqartësi të shumta, derisa, sipas tyre, ai ka përmendur faktin se bizneset që janë furnizuar gjatë dy muajve të fundit me energji nga KEK-u, nuk kanë marrë faturat e energjisë.
DHTIK thotë se Hysen Sogojeva nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit, shprehu mbështetjen e vazhdueshme në kundërshtim të veprimeve, siç ka thënë ai, të dëmshme të ZRRE-së.
“Në këtë takim konsultativ, drejtuesit e bizneseve kanë shprehur shqetësimin për mungesë të informatave, pasigurisë për të ardhmen e tyre dhe veprimeve të KEK-ut, që po i largon orët aktuale të rrymës dhe po i vendos të vetat pa asnjë njoftim”, thuhet tutje në njoftimin e DHTIK.
Ata kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se askush nuk është kundër liberalizimit të tregut të lirë të energjisë. “Por, se paqartësitë, mungesa e informatave, tregu i pa përgatitur, vërtetuar edhe nga instancat ndërkombëtare, e bëjnë këtë proces të dyshimtë dhe dëmtues për ekonominë”, thotë DHTIK.
Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, ZRRE-së dhe KEK-ut që të pezullojnë ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe të rishqyrtohet i gjithë procesi i liberalizimit të tregut.























