Kamberi kërkon nga Parlamenti serb njohjen e diskriminimit ndaj shqiptarëve
E.Hoti/RTKlive
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar një rezolutë për të adresuar diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kamberi theksoi se kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Serbi, dhe synon që Parlamenti serb ta njohë dhe konstatojë pozitën diskriminuese, si dhe të detyrojë institucionet shtetërore për të ndërmarrë masa konkrete për tejkalimin e këtij realiteti.
“Qytetarët shqiptarë të Luginës kanë të drejtë të jenë qytetarë të rendit të parë, por aktualisht janë të përjashtuar nga përfaqësimi i barabartë dhe të ekspozuar ndaj praktikave të qëllimshme diskriminuese,” tha Kamberi në një intervistë për emisionin” Info Plus” në RTK.
Ai theksoi se kërkesat e përfshira në rezolutë janë të njëjta me ato të formuluara nga spektri politik shqiptar dhe të përmbledhura në planin shtatëpikësh, përfshirë Integrimin e barabartë në administratën shtetërore, përfshi gjyqësorin, policinë dhe institucionet e tjera publike, ndërprerjen e pasivizimit të adresave si një mjet i shpopullimit të rajonit, dhe njohjen e diplomave të fituara jashtë Serbisë, që aktualisht po ndikon në largimin masiv të të rinjve nga Lugina.
“Përmes kësaj rezolute, kërkojmë që çështja e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialogun e Brukselit, në mënyrë simetrike me kërkesat e komunitetit serb në veri të Kosovës,” deklaroi deputeti Kamberi.
Ai shtoi se Parlamenti serb është i obliguar ta shqyrtojë çdo iniciativë të paraqitur nga deputetët, por ende nuk ka një datë të saktë për seancën e radhës, për shkak të situatës aktuale politike në Serbi. Tha se mundësia më e afërt për shqyrtim mbetet sesioni vjeshtor.
Kamberi foli gjithashtu për dy letrat e pranuara nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, të cilët tha se janë të njohur me situatën në Luginë dhe që u kanë kërkuar autoriteteve serbe respektimin e obligimeve ndërkombëtare..























