Anita Rachvelishvil magjeps Prishtinën në kuadër të Festivalit ‘Ramë Lahaj`
M.Sh/RTKLive
Prishtina përjetoi një mbrëmje të paharrueshme artistike, teksa një prej zërave më të mëdhenj të operës botërore, mezzosopranoja gjeorgjiane Anita Rachvelishvili, performoi për herë të parë në Kosovë, në kuadër të edicionit të 5-të të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”.
Nën qiellin e hapur të kryeqytetit dhe në praninë e një publiku të shumtë, Rachvelishvili solli një performancë që emocionoi dhe frymëzoi, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një prej ikonave të skenës operistike ndërkombëtare.
E shoqëruar nga Ansambli i Festivalit RLIOF dhe nën drejtimin e maestro Nikoloz Rachveli, interpretimi i saj solli një harmoni të rrallë mes mjeshtërisë muzikore dhe emocioneve të publikut, i cili e mirëpriti me duartrokitje të gjata.
Zëri i saj, që ka jehuar në skenat më prestigjioze si La Scala e Milanos, Metropolitan Opera në Nju Jork dhe Opera e Parisit, preku thellë zemrat e publikut kosovar, duke e shndërruar këtë koncert në një ngjarje historike për jetën kulturore të vendit.
Në shenjë vlerësimi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i dhuroi artistes simbolin e kryeqytetit “Hyjnesha në Fron”, si mirënjohje për interpretimin e saj të jashtëzakonshëm dhe kontributin në promovimin e artit operistik në Kosovë.
Ky koncert dëshmoi misionin e festivalit: të sjellë artin e madh operistik më afër publikut vendor dhe të vendosë Kosovën në hartën kulturore ndërkombëtare, duke e jetësuar moton e këtij viti: “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure!”
Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj” do të përmbyllet me ngjarjen më madhështore të edicionit – Mbrëmjen Gala “Rame Lahaj & Friends”, që do të mbahet më 2 gusht në sheshin “Skënderbeu” nga ora 20:30.
Në këtë mbrëmje do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të operës botërore si sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, bassi italian Dario Russo dhe tenori ynë Rame Lahaj, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, nën drejtimin e maestro Roberto Rizzi Brignoli.























