Gërvalla: RTK duhet mbrojtur nga cinizmi i mediave hibride
BKT
Lajme

Gërvalla: RTK duhet mbrojtur nga cinizmi i mediave hibride

RTKlive

Drejtori i televizionit në Radiotelevizionin e Kosovës, Rilind Gërvalla, ka reaguar ndaj sulmeve të vazhdueshme që, sipas tij, po i drejtohen RTK-së nga një rrjet i ashtuquajtur media hibride, e të cilat veprojnë me agjenda të caktuara, duke e sulmuar institucionin publik, e në të njëjtën kohë duke simuluar solidaritet të rremë në momentet e krizës së tij.

Duke u mbështetur në një thënie të Albert Camus, të cilën e parafrazon “Kur të gjithë mbajnë heshtje për të vërtetën, fjala e rreme bërtet me megafon”, Gërvalla e përshkruan këtë fenomen si një “bandë apo kartelë mediatike” që ka shpërndarë njerëzit e vet nëpër televizione private, të kamufluar si analistë.

“Në një shoqëri ku fjalës i është hequr pesha, ku lajmi është bërë më shumë instrument sesa pasqyrë e realitetit, mediat hibride veprojnë si forca të errëta në një skenë që kërkon dritë. Ato janë zëra që flasin jo për të ndriçuar, por për të mjegulluar, jo për të ndërtuar, por për të rrënuar, jo për të mbështetur RTK-në, por për të manipuluar me të”, ka shkruar Gërvalla.

Sipas tij, RTK-ja, një institucion me të meta dhe sfida, por një nga të paktat hapësira publike të përbashkëta që ende mbijetojnë në një treg të egër dhe gjithnjë e më të zvetënuar mediatik, është bërë shpesh objekt i një paradoksi të hidhur: ajo luftohet sistematikisht nga të njëjtat zëra që, në momentin e krizës së saj, sillen si shpëtimtarë të maskuar.

“Këto media hibride — portale që vetëprezantojnë veten si gardianë të së vërtetës, ndërsa mbjellin përçarje e dyshim — për vite të tëra kanë ushqyer një narrativë agresive për mbylljen e RTK-së, e kanë përqeshur ekzistencën e saj si ‘tepër burokratike’, ‘e tejkaluar’, apo ‘e kapur’, ndërkohë që vetë kanë funksionuar në mënyrë të pakontrolluar, pa standarde profesionale, e shpeshherë si megafonë të interesave të padukshme të mafisë dhe oligarkëve. Dhe ja tek vjen kriza — ajo financiare, strukturore, njerëzore. Në vend që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme, përmirësim të brendshëm apo mbrojtje të integritetit të RTK-së si pasuri publike, këto media shfaqen papritmas si ‘zëra kritikë të përgjegjshëm’, duke simuluar një lloj solidariteti që në thelb është vetëm një strategji tjetër për të minuar besimin ndaj institucionit”, ka shtuar Gërvalla.

Ai tutje thotë se mbështetja e tyre është një iluzion dhe sipas tij, ajo nuk buron nga ndjenja publike apo vlera profesionale, por nga interesi për të krijuar trazira, për të përçarë punëtorët e RTK-së dhe për ta dobësuar më tej institucionin, në mënyrë që pastaj vetë të marrin më shumë pushtet informativ dhe ndikim propagandistik.

“Në vend që të jenë kritikë të ndershëm, ata janë cinikë të heshtur që flasin vetëm kur RTK gjunjëzohet — jo për ta ngritur, por për t’ia shtypur kokën më lehtë. Ky është morali i medies hibride: nuk ka kauzë, nuk ka përgjegjësi publike, ka vetëm luftë për narrativë dhe klikime. Sa herë shihni duartrokitje ndaj një punëtori të RTK-së, binduni që e kanë qëllimin ta rrënojnë atë që pastaj ta vajtojnë se qenka viktimë”, ka nënvizuar Gërvalla.

Drejtori i Televizionit thotë se RTK-ja ka nevojë për reformë, kritikë konstruktive, profesionalizëm të rritur dhe transparencë.

“Por ajo nuk meriton të rrënohet nga brenda përmes helmit që shpërndahet nga jashtë. Punëtorët e saj nuk janë armiq të së vërtetës — ata janë shpesh pengje të një sistemi që nuk i ka trajtuar si duhet, i ka shantazhuar , dhe tani janë pak më shumë të goditur nga sulmet që vijnë nga pseudo-media që kërkojnë kaos për të mbijetuar”, ka thënë ai.

Gërvalla në fund ka theksuar se në një kohë ku vlera e lajmit është shndërruar në monedhë emocionale, institucionet publike nuk duhet të maten me defektet e tyre, por me qëllimin për të cilin ekzistojnë.

“Dhe në këtë qëllim, RTK mbetet një terren që duhet mbrojtur nga cinizmi i mediave hibride që duken si aleatë, por janë zanatli të rrënimit të saj”, ka përfunduar Gërvalla.

 


MË SHUME NGA Lajme