Kush është Radomir Laban?|VIDEO
Elmina Osmani / RTK
Radomir Laban për të cilin presidentja e vendit, Vjosa Osmani ngriti shqetësime se veprimtaria e tij cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese prej mbi 7 vitesh derisa vazhdon aktivitetin e tij në këtë gjykatë.
Por jashtë Kushtetueses, kush është Radomir Laban dhe me kë bashkëpunon?
Burimet e Televizionit thonë se Radomir Laban është bashkëpunëtor i ngushtë i Milan Radoiçiqit.
Laban nga Radoiçiq, përmes së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe Metohi, kishte përfituar pronë në veri të vendit.
Në katin e tretë të kësaj ndërtese e cila është ndërtuar nga kompania 028-Rad e Radule Steviq me financim nga Qeveria e Serbisë, gjendet banesa e Radomir Laban të cilën ia dhuroi Radoiçiq.
Ndërtesa gjendet në Rrugën “Vojvode Bojoviq” tani “Bedri Pejani”, në Veri të Mitrovicës.
Siç merr vesh RTK, banesë në veri ka përfituar edhe Danica Laban, motra e Radomir Laban, po ashtu nga KiM.
Laban sipas burimeve të televizionit, në të kaluarën ka qenë zyrtar i Inteligjencës të Doganës së Serbisë.
Në vitin 2013 ai u dënua me 6 vite burgim për korrupsion por që dënimin nuk e ka vuajtur pasi kishte ikur në Kosovë. Fletëndalim për të kishte edhe nga Interpoli.
Radomir Laban, në vitin 2018 zgjidhet Gjyqtar në Kushtetuese, e pas kësaj, ai rivendos kontaktet me Serbinë, nëpërmjet lidhjeve të tij me institucionet e sigurisë serbe.
Ndonëse RTK ka adresuar kërkesa në të gjitha institucionet e sigurisë në vend për të kërkuar informacione shtesë lidhur me veprimtarinë e gjyqtarit serb, Laban, deri në këto momente nuk ka marrë përgjigje.























