`RTK Prime`: Protesta kundër padrejtësisë e zhvillimet në Speciale
BKT
Lajme

`RTK Prime`: Protesta kundër padrejtësisë e zhvillimet në Speciale

Një ditë para protestës kundër padrejtësisë, organizuar nga kategoritë e dala nga lufta në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, zhvillimet e fundit janë debatuar në emisionin “RTK Prime”.

Në këtë emision u theksua se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për protestën e paralajmëruar që do të mbahet nesër në Prishtinë.

Syla: Të gjitha përgatitjet për protestën e nesërme kanë përfunduar

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, deklaroi se janë ndërmarrë të gjitha veprimet logjistike dhe ligjore për mbarëvajtjen e protestës.

“Kemi siguruar sheshin, është dhënë leja për shfrytëzimin e hapësirës publike, policia është njoftuar dhe është siguruar transporti për të gjithë qytetarët që do të marrin pjesë në protestë. Prandaj, konsiderojmë se gjithçka është gati për nesër”, tha Syla.

Syla shtoi se kjo protestë është pjesë e një serie veprimesh të kryesisë së re të OVL-UÇK-së, të cilat synojnë të kundërshtojnë padrejtësitë që, sipas tyre, po bëhen ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së në procesin gjyqësor në Hagë.

“Ne kemi nisur me rrugën diplomatike, duke u drejtuar me letra shumë ambasadave, diplomatëve dhe parlamentarëve të BE-së, ku kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si po zhvillohet gjykimi në Hagë. E kemi konsideruar të domosdoshme edhe organizimin e një proteste, që është vazhdimësi e qëndrimit tonë të hershëm kundër kësaj gjykate”, theksoi ai.

Sipas Sylës, OVL-UÇK ka qenë që nga fillimi kundër themelimit të Gjykatës Speciale, të cilën e konsideron si të motivuar politikisht.

“Ne kemi qenë kundër që në momentin kur është folur për themelimin e saj, sepse kemi besuar se është një gjykatë politike. Tashmë po shihet se kemi pasur të drejtë. Ne do të vazhdojmë me rrugën diplomatike, sepse besojmë se presioni ndërkombëtar është kundërvlera më e mirë ndaj kësaj gjykate”. deklaroi Syla.

Musa: Procesi në Hagë, me probleme të mëdha

Avokati Skënder Musa shprehu shqetësimin e tij për qasjen e Dhomave të Specializuara ndaj kërkesave të mbrojtjes dhe pranimin e provave që, sipas tij, janë të diskutueshme.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, pothuajse të gjitha kërkesat dhe ankesat e mbrojtjes janë refuzuar nga trupi gjykues. Nuk është aprovuar asgjë me peshë nga propozimet tona”, tha ai.

Sipas tij, shqetësimi më i madh ka të bëjë me pranimin e provave të ardhura nga MUP-i serb që, siç tha ai, ka qenë aktivisht i përfshirë në luftën në Kosovë.

“Kemi qenë të shqetësuar për pranimin e provave të ardhura nga MUP-i, duke marrë parasysh se ky institucion ka pasur rol aktiv gjatë luftës dhe ka pasur mundësi reale për fabrikimin dhe falsifikimin e provave. Pranimi i tyre pa hezitim nga Dhomat e Specializuara është tejet shqetësues”, theksoi ai.

Musa gjithashtu kritikoi institucionet shtetërore të Kosovës për mungesë të reagimit të fortë ndaj kësaj situate.

“Ministria e Drejtësisë, Kryeministria dhe Presidenca është dashur të reagojnë më fuqishëm, si në aspektin politik, ashtu edhe juridik, sepse këtu bëhet fjalë për udhëheqës të shtetit dhe të luftës", theksoi Musa.

Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë pasur mundësi të ofrojnë garanci të fuqishme për sjelljen e të akuzuarve gjatë procesit gjyqësor.

Demaku: Gjykata Speciale është e njëanshme

Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, deklaroi se kurrë nuk ka besuar në drejtësinë e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si të njëanshme dhe të orientuar kundër UÇK-së.

“Që nga themelimi i saj, kjo gjykatë ka pasur një tendencë të qartë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Formati i saj ka qenë i tillë që në fillim, me një synim të dukshëm për të goditur palën shqiptare”, theksoi ai në "RTK Prime".

Demaku theksoi se gjatë procesit ka munguar ndarja e rolit mes Prokurorisë dhe Gjykatës.

“Ka qenë një akordancë e jashtëzakonshme mes Gjykatës dhe Prokurorisë, sa që shpesh dukej se nuk dihej roli i kujt ishte. E kemi parë qartë se nuk ka pasur një ndarje të drejtë të funksioneve, por bashkëveprim në dëm të të akuzuarve”, tha ai.

Panelistët u pajtuan se protesta e nesërme në Prishtinë është një formë demokratike e shprehjes së qëndrimit dhe kundërshtimit ndaj asaj që e quajnë padrejtësi në procesin që po zhvillohet në Hagë.


MË SHUME NGA Lajme