RTK-ja finaliste në garën prestigjioze ndërkombëtare “Japan Prize 2025”
BKT
Lajme

RTK-ja finaliste në garën prestigjioze ndërkombëtare “Japan Prize 2025”

RTKlive

Radiotelevizioni i Kosovës është përzgjedhur në finalen e madhe të njërës prej garave më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e prodhimeve audiovizuale edukative “Japan Prize 2025”.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Jam i lumtur t’ua kumtoj lajmin se RTK është përzgjedhur në finalen e madhe të Çmimit Japonez ‘Japan Prize 2025’. Projekt-propozimi i përzgjedhur ka të bëjë me futbollin e vajzave dhe rrëfimet e futbollisteve vendore, ëndrrat dhe synimet e tyre drejt kampionateve”, ka shkruar Gërvalla, teksa ka falënderuar ekipin realizues Aleksandra T. Jovanovic, Gjergj Anton Filipaj, Dardan A. Berisha, Ersin Samli dhe Asako Matsushima Kubota për punën e palodhshme.

Ndërkohë, sipas njoftimit zyrtar në faqen e “Japan Prize”, edicioni i këtij viti ka pranuar 373 aplikime për vepra audiovizuale dhe projekt-propozime nga 58 shtete dhe rajone të botës. Fituesit e çmimeve do të shpallen më 25 shtator, ndërsa ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 20 nëntor në Tokio, gjatë “Japan Prize Festival Week”.

Japan Prize Festival Week është një festival dhe garë ndërkombëtare për përmbajtje edukative (emisione, filma, animacione, platforma interaktive, etj.) që synojnë të nxisin arsimimin dhe zhvillimin kulturor në mbarë botën.

Ky festival i ka rrënjët në vitin 1965 dhe organizohet çdo vit nga NHK (Japan Broadcasting Corporation) – televizioni publik i Japonisë.

Qëllimi i festivalit është të mbështesë përmbajtje cilësore që: edukon në mënyrë të kuptueshme e kreative; promovon mirëkuptim ndërkulturor dhe shërben si mjet për zhvillim shoqëror dhe individual.

Ky festival promovon arsimim të barabartë dhe kreativ nëpër botë; Jep mundësi që përmbajtjet më të mira edukative të njihen globalisht; Krijon rrjete bashkëpunimi mes profesionistëve të medias dhe arsimit.


MË SHUME NGA Lajme