McGurk: Mbështes zgjidhjen për RTK-në, të gjejmë financim të qëndrueshëm
RTKlive
(E përditësuar) Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk në një deklarim pas takimit me krerët e RTK-së, ka theksuar se përkrah çdo iniciativë për gjetjen e një zgjidhje për alokimin e pagave për 700 punëtorët e institucionit. Ai ka thënë se do të punojë për financimin e qëndrueshëm të transmetuesit publik.
McGurk ka thënë se qëllimi kryesor i vizitës ka qenë ritheksimi i mbështetjes së misionit të OSBE në Kosovë për RTK-në si transmetues publik, i të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“E di se ka probleme buxhetore së fundmi, dhe se janë duke u zhvilluar diskutime për të zgjidhur këto probleme sa më shpejt. Unë i mbështes plotësisht këto përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të ja mundësonte RTK-së të vazhdonte të operojë me më shumë se 700 punëtorët e saj”, ka thënë ai.
Ambasadori ka theksuar se do të punojë për të siguruar financim të qëndrueshëm për transmetuesin publik.
“Një tjetër gjë që dua të theksoj është rëndësia e një qëndrueshmërie afatgjatë për RTK-në. Kur Kuvendi të konstituohet, do të punoj ngushtë me parlamentin për ta vendosur RTK-në në një rrugë të qëndrueshme…Është jashtëzakonisht e rëndësishme të gjejmë një model financimi të qëndrueshëm për RTK-në që e mbanë larg nga situata që është sot, dhe punëtorët e RTK-së e gjejnë veten në rrezik për shkak të vendimeve që nuk janë marrë nga parti politike”, ka thënë ai.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm, Hysen Hundozi, ka thënë se kanë marrë përkrahjen e OSBE-së.
“E njoftuam për situatën aktuale në RTK, për zhvillimet e fundit dhe për përpjekjet që po bëhen për të dalë nga gjendja aktuale. Morëm përkrahjen e OSBE-së edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me ligjin, i cili do të sigurojë një financim të qëndrueshëm dhe zgjidhjes së çështjes së pronës”, ka thënë ai.
Ambasadori i OSBE-së bën thirrje për zgjidhje urgjente të krizës në RTK
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, ka zhvilluar një takim me ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Hysen Hundozi, ku është njohur nga afër me sfidat dhe rreziqet me të cilat përballet transmetuesi publik.
“E vlerësova takimin me z. Hundozi dhe mundësinë për të dëgjuar drejtpërdrejtë nga udhëheqësia e RTK-së për sfidat aktuale. Përsërita thirrjen e fuqishme të @OSCEKosovo për nevojën urgjente për të zgjidhur situatën e vazhdueshme që po ndikon RTK-në”, ka deklaruar McGurk, njofton OSBE në një postim në Facebook.
Ai theksoi se RTK, si transmetues publik, luan një rol jetik në garantimin e qasjes së të gjitha komuniteteve në informacione të sakta, të paanshme dhe në kohë. Sipas tij, bllokada institucionale aktuale kërcënon pavarësinë dhe vazhdimësinë e RTK-së dhe minon të drejtën themelore të qytetarëve për informim.
Ambasadori McGurk nënvizoi rëndësinë e miratimit të një ligji për RTK-në, i cili do të siguronte një model të qëndrueshëm financimi në afat të gjatë. Ai konfirmoi përkushtimin e Misionit të OSBE-së për të mbështetur këtë proces.
“Misioni i OSBE-së u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve relevantë të veprojnë me shpejtësi për të garantuar funksionimin e pandërprerë të RTK-së përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke siguruar gjithashtu pavarësinë financiare dhe stabilitetin afatgjatë të këtij institucioni”, përfundoi ai.























