Popoviq shpallet fajtor, burgu i zëvendësohet me gjobë dhe dëbim
BKT
Në Fokus

Popoviq shpallet fajtor, burgu i zëvendësohet me gjobë dhe dëbim

Elmine Osmani /RTK

(E plotësuar, ora 14:10) Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës ‘Zyrë për Kosovë’ në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.

Gjyqtari ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh.

Vendimi për Popoviqin merret pasdite

Prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që t’i shqiptojë dënimin me gjashtë muaj burgim, por që t’i zëvendësohet me gjobe 3 mijë euro dhe dëbim të Igor Popoviqit nga Kosova për dy vjet.

Avokati i të akuzuarit tha se marrëveshja është arritur në përputhje me ligjin dhe të gjitha kushtet janë plotësuar.

Igor Popoviq para gjykatës për marrëveshjen e fajësisë

Sh.Ç|RTKlive

Gjykata Themelore në Prishtinë në orën 10:00, pritet të mbajë sot seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes së pranimit të fajësisë ndërmjet Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Igor Popoviq ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila do të shqyrtohet nga trupi gjykues gjatë seancës.

Vendimi për miratimin ose refuzimin e kësaj marrëveshjeje do të merret pas vlerësimit të gjykatës, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndaj Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, pas arrestimit të tij muajin e kaluar nga Policia e Kosovës.

Arrestimi erdhi si pasojë e një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku ai dyshohet se ka përdorur gjuhë nxitëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

Sipas aktakuzës, më 18 korrik 2025, rreth orës 12:00, në një tubim publik në Rahovec, Popoviq mbajti një fjalim me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxit urrejtje dhe përçarje ndëretnike.

Në deklarimet e tij, ai thuhet të ketë theksuar se “Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit... dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë”, duke bërë thirrje që “Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe”.

Prokuroria vlerëson se përmes këtyre deklarimeve, Popoviq ka nxitur mosbesim dhe mosdurim ndërmjet komuniteteve në Kosovë, duke cenuar rendin kushtetues dhe bashkëjetesën ndëretnike.


MË SHUME NGA Në Fokus