Abdixhiku për Kushtetuesen: LDK e tha nga dita e parë, Kosova humbi kohë
M.P. / RTKlive
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se këtë qëndrim e kanë pasur ky subjekt politik nga dita e parë. Ai tha se Kosova humbi kohë me seancat të cilat u shpallën të pavlefshme sot me vendimin e ri.
“Siç e kishim thënë, sa e sa herë, partia e parë kishte uzurpuar foltoren, me imponim kishte ndryshuar rendin e ditës dhe me kokëfortësi për plot 48 herë kishte shkelur Kushtetutën e Kosovës duke insistuar në votimin e fshehtë - para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i fshehtë nuk pranohet. Jo kushtetues i konstatuar! Urdhëroheni të mundësoni demokracinë në Republikën e lirë të Kosovës”, ka shkruar ai.
Abdixhiku më tej tha se nga ky proces janë humbur gjysmë vit.
“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë - gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, ka shkruar Abdixhiku.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka njoftuar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.
Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.























