Hasani: Dispozitivi i Kushtetueses i qartë, por me dy defekte
REL
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se dispozitivi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituim të Kuvendit është “jashtëzakonisht i qartë” dhe nëse ka vullnet politik, procesi mund të finalizohet.
Megjithatë, ai i ka identifikuar disa “defekte” që sipas tij e bëjnë problematik vendimin: urdhri që seancën ta vazhdojë Avni Dehari, edhe pse, sipas Hasanit, ai ka kryer shkelje kushtetuese, dhe pse deputetët janë urdhëruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë, por pa u bërë publike masat ndëshkuese.
Ai është shprehur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i bindur se mungesa e masave ndëshkuese është pasojë e, siç e quan ai, “ndërhyrjes” së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në drejtësi, përmes deklarimeve të saj publike.
Gjykata Kushtetuese më 8 gusht vendosi që kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, duke e urdhëruar Deharin që t'i kthehet rendit të ditës, siç ishte caktuar më 8 prill.
Në vendim u tha se emri i një kandidati për kryeparlamentar, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë, teksa deputetët do të kenë kohë të përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30-ditësh pasi aktgjykimit të publikohet në Gazetën Zyrtare.























