5 vrasje brenda 48 orëve, ekspertët: Organet e rendit të jenë bashkëpunuese
Donika Sherifi/ RTK
5 vrasje e tronditën Kosovën vetëm në 48 orët e fundit. Për vrasjen e mbrëmshme në Hajvali, merret vesh se tashmë është identifikuar i dyshuari, ndërsa veprën e ka pranuar dorasi i Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, i cili u gjet i varrosur në një arë.
Ndërkohë, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra me të dy djemtë gjenden ende në arrati, e për rastin e tij, Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë.
Tre viktima në Gjilan, një në Prizren dhe një në Hajvali i janë shtuar numrit të të vrarëve në vend. Për vrasjen e mbrëmshme në Hajvali, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës tanimë kanë identifikuar të dyshuarin që qëlloi me armë në kokë viktimën.
“Menjëherë pas marrjes se informatës, njësitet relevante të Policisë se Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin e shtetit, kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Si rezultat i veprimeve të deritanishme hetimore, është identifikuar autori i dyshuar, Xhemajl Nuhiu, i cili aktualisht është në arrati dhe po kërkohet nga organet e rendit”.
Pos për vrasjen në Hajvali, është identifikuar dhe arrestuar edhe i dyshuari për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, i cili u gjet i varrosur në një arë, për çka vrasësi ka pranuar veprën.
“Gjatë këtij veprimi policor në koordinim të plotë me prokurorin, është arrestuar dhe ndaluar një person i dyshuar mashkull me inicialet T.K. Pas ndalimit në polici dhe dhënies së deklaratës, i dyshuari ka pranuar veprimet e tij dhe kryerjen e veprës penale”.
Ndërkohë, i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra me të dy djemtë e tij janë ende në arrati, e për rastin e tij Inspektorati Policor ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, të cilët do të hetohen nëse kanë bërë lëshime ose përfshirje në krijimtarinë e Shkodrës.
Prokurorja Habibe Salihi ka mohuar të ketë qenë pjesë e rastit për të cilin është raportuar.
RTK ka pyetur në Prokurorinë Themelore të Gjilanit se mbi çfarë baze është liruar nga burgu Mefail Shkodra, mbi të cilin rëndojnë më shumë se 30 vepra penale dhe se cili prokuror është duke u marrë me rastin, por që gjatë ditës nuk është përgjigjur.
Për këto raste, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se organet e rendit duhet të jenë më bashkëpunuese mes vete dhe masat ndëshkuese të jenë më të ashpra për kriminelët.
“Ky është një signal që duhet gjithsesi sektori i sigurisë në bashkëpunim edhe me institucionet e drejtësisë dhe qytetarët të shtojnë bashkëpunimin me qëllim që këto të parandalohen dhe mos të mirren me pasoja, por po tregohet që është trend në rritje”, tha ai.
Ndërkohë, Albeard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se pesë vrasjet e fundit janë pasqyrë e dështimit të shtetit.
“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhinjtë, janë bërë të guximshëm dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese”, tha Tahiri.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji të dyshuarit për vrasjen e një personi të dielën në Prizren.























