Nga masat efiçiente në Malishevë, në financim nga BE, përfitojnë 25 familje
Zenel Hajrizi |RTK
Sot janë përuruar masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat shumëbanesore sociale në komunën e Malishevës. Në këtë ndërtesë të banimit social jetojnë 25 familje, përfshirë tri gra kryefamiljare, ndërsa projekti është financuar në kuadër të pakos emergjente të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Banorë të Malishevës në objektin banesor social janë përfitues nga projekti i Bashkimit Evropian për investim në efiçiencë për energji, i cili vlerësohet se do të mundësojë krijimin e kushteve më të mira për banim për 25 familje me mbështetje sociale.
“Një investim në total prej 6 milionë eurosh, ku 90% është financuar nga BE, ndërsa 10% bashkëfinancohet nga komunat, të cilat, gjithashtu, kanë obligim të përkujdesen për mirëmbajtjen e këtyre investimeve në vitet në vijim”, tha Artane Rivanolli, ministre në detyrë e Ekonomisë.
BE mbetet e përkushtuar që ta mbështesë Kosovën në reformat dhe investimet e nevojshme në dekarbonizimin e sektorit të energjisë, tha Alesandro Bjanqiardi nga zyra e BE-ë.
“Kjo është një nga 28 ndërtesat sociale që po rinovohen në kuadër të Paketës së Mbështetjes së Energjisë, ndërsa ka efekt demonstrues për rinovimet në ndërtesa të tjera shumëkatëshe në të gjithë Kosovën. Në këtë rast qëllimi ishte të ndihmohen familjet e cenueshme sociale, përmes përmirësimit të kushteve të jetesës dhe uljes së konsumit të energjisë”, tha Bjanqiardi .
Përfitimi nga investimi është i dobishëm, thotë kryetari i Malishevës.
“Ky investim ka rol shumë të madh, sepse e rrit cilësinë e jetës së banorëve të kategorive sociale, si dhe e zvogëlon shfrytëzimin e energjisë, që ka dy benefite, kështu që përfitimet janë të shumë llojllojshme”, tha Ekrem Kastrati, kryetar i Malishevës.
BE përkushtohet të mbështesë Kosovën në dekarbonizimin e sektorit të energjisë, përmes planit të investimeve drejt energjisë së pastër dhe integrimit në tregun e energjisë të BE-së. Investimi ka përfshirë 28 objekte në 13 komuna të vendit.























