AIP kërkon nga mediat respektimin e privatësisë së qytetarëve në aeroport
Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka bërë thirrje mediave që gjatë raportimeve nga hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të respektojnë privatësinë e udhëtarëve.
Ky reagim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar tek kjo Agjenci lidhur me praninë e mediave e gazetarëve në hapësirat e aeroportit dhe publikimin e xhirimeve dhe fotografive pa pëlqimin e tyre.
Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, Agjencia kujton se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përcakton detyrime të qarta për respektimin e privatësisë, veçanërisht në situata të ndjeshme personale ose familjare.
AIP u kërkon mediave që të: shmangin regjistrimin dhe publikimin e imazheve pa pëlqimin e qytetarëve; të koordinojnë xhirimet dhe intervistat me autoritetet e aeroportit; të përmbahen nga raportimet sensacionale që mund të cenojnë dinjitetin ose të drejtat e udhëtarëve.
Agjencia thekson se edhe në rastet kur ka pëlqim nga një person i intervistuar, duhet treguar kujdes në publikimin e pamjeve ku mund të shfaqen individë të tjerë pa lejen e tyre.
AIP u ka bërë thirrje mediave të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe informimin e qytetarëve në përputhje me standardet ligjore dhe etike, teksa ka thënë se mbetet në dispozicion për të ofruar mbështetje profesionale në zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.























