Sinisha Spasiq arrin në gjykatë, prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim
BKT
Lajme

Sinisha Spasiq arrin në gjykatë, prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim

Sh.Ç|RTKlive

(Plotësuar) Sinisha Spasiq, i dyshuar për krime lufte në Kosovë, del para gjykatës në Prishtinë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij.

Spasiq dyshohet për veprën penale "Krime lufte kundër popullsisë civile", e kryer gjatë luftës në Kosovë. Ai akuzohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë të uniformuar – pjesëtarë të njësive të mobilizuara të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë – ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë, gjatë periudhës së luftës.

Sipas Prokurorisë, më datën 6 prill 1999, i dyshuari në bashkëkryerje ka qenë pjesë e një aksioni gjatë të cilit janë plaçkitur dhe djegur shtëpi, ndërsa ndaj civilëve janë kryer akte dhune fizike dhe seksuale.

Gjatë hetimeve janë mbledhur prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve, të cilat mbështesin dyshimet ndaj të pandehurit.

Ndërkohë sot zhvillohet seanca gjyqësore ndaj të dyshuarit me inicialet S.S., i cili akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë konfliktit në Kosovë, konkretisht në Komunën e Vushtrrisë.

S.S. është arrestuar nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Merdarë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës.


MË SHUME NGA Lajme