Aksionin antidrogë në Gjilan, tre persona janë arrestuar
Sh.Ç|RTKlive
(E plotësuar) Policia e Kosovës, në koordinim e bashkëpunim me institucione tjera të sigurisë, kanë arritur të lokalizojnë një plantacion me rreth 500 bimë të llojit kanabis sativa në një fshat të rajonit të Gjilanit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, këto bimë ishin të mbjella në katër sera dhe ishin në një fazë të mirë zhvillimi.
“Lidhur me rastin është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë dhe dëshmi tjera, janë arrestuar tre persona të dyshuar, të cilët me aktvendim nga prokurori dërgohen në mbajtje për 48 orë”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.
Policia e AKI-ja me aksion antidroge në rajonin e Gjilanit
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Gjilanit, me fokus në identifikimin dhe asgjësimin e kultivimit të substancave narkotike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Fadil Hoti, ka theksuar se gjatë këtij operacioni janë zbuluar disa sera të pajisura posaçërisht për kultivimin e drogës.
Si rezultat i aksionit, sipas tij, deri tash janë arrestuar tre persona të dyshuar dhe është sekuestruar një armë zjarri.
“Operacioni është ende në zhvillim e sipër. Një rol kyç në këtë aksion ka pasur Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, e cila ka ndihmuar në identifikimin e të dyshuarve dhe të lokacioneve ku është zhvilluar aktiviteti i jashtëligjshëm”, ka deklaruar Hoti për mediat.
Policia njofton se hetimet do të vazhdojnë me intensitet.























