Dështojnë sërish propozimet e VV-së për kryetar të Kuvendit
BKT
Në Fokus

Dështojnë sërish propozimet e VV-së për kryetar të Kuvendit

Sh.Ç|RTKlive

(E plotësuar, ora 11:40) Në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hekuran Murati, Dimal Basha dhe Arbërie Nagavci, nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar sërish të marrë votat e deputetëve për propozimet e saj për kryetar të Kuvendit.

Nisi me deputetin, Hekuran Murati, pastaj deputeten, Arbërie Nagavaci e në fund edhe me deputetin Dimal Basha. Të tre dështuan të zgjidhen në pozitën e kryeparlamentarit.

Pas dështimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive, kryesuesi Avni Dehari e ka ndërprerë atë, duke bërë të ditur se përpjekja e radhës do të bëhet të martën.

Basha s’i merr votat për kryetar të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:38) Deputeti Dimal Basha nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentar.Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Vetëm 57 deputetë votuan për, kundër 25, dhe abstenim 24 deputetë.

Dy propozimet e para për sot ishin, Hekuran Murati i cili mori 55 vota, ndërsa po aq vota mori edhe kandidatura tjetër, Arbërie Nagavci.

As Arbërie Nagavci s’i merr votat për kryetare të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:34) Deputetja Arbërie Nagavci nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentar.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Arbërie Nagavcin për kryetare të Kuvendit. As ajo nuk i ka marrë votat për të qenë në krye të kësaj pozite.

Murati nuk i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentar

(E plotësuar, ora 11:30)  Deputeti Hekuran Murati nuk ka arritur as sot të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentar.

Murati për të dytën herë në përpjekjen e 57-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është propozuar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje nga Donika Gërvalla. Megjithatë, edhe kësaj radhe nuk u arrit kuota e 61 votave.

Nga 106 deputetë të pranishëm për kandidaturën e Muratit votuan 55 deputetë, kundër 46 dhe 5 deputetë kanë abstenuar.

Një tjetër përpjekje për konstituim të Kuvendit

(E plotësuar, ora 11:05) Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në vazhdimin e seancës konstituive, nga ora 11:00, e katërta kjo pas vendimit të Kushtetueses, sipas së cilës kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të nominohet vetëm tri herë dhe procesi i votimit të bëhet në mënyrë të hapur.

Izmaku: Derisa kompromisi nuk shihet si vlerë, s’kam shpresa për zgjidhje

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku ka folur para seancës konstituive. Ajo u shpreh se derisa kompromisi nuk shihet si vlerë, por si ligësi, nuk ka shpresa për zgjidhje.

“Unë si deputete, derisa e shoh që ky lidership, duke përfshirë partinë e parë që doli fituese në këto zgjedhje, por edhe krerët e partive tjera politike, nuk e shohin kompromisin si një vlerë në demokraci, por e shohin si një ligësi, unë nuk kam shpresa më që do të ketë një zgjidhje”, ka thkesuar ajo.

Çitaku thotë se Kurti do nënshtrim, është koha të reflektojë

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK-ja i ka kontribuar vazhdimisht frymës së bashkëpunimit që institucionet të formohen sa më parë. Ajo ka thënë se VV-ja nuk donë bashkëpunim e as kompromis, por kërkojnë nënshtrim,

Sipas saj, muaj të tërë Kuvendi nuk e ka kryer punën e vet derisa kryesuesi Dehari e ka shkelur Kushtetutën.

“Ne shpresojmë që Kurti do të reflektojë. Kosova ka halle të mëdha”, ka thënë Çitaku.

Haziri: Ka mungesë të vullnetit politik për konstitutim të Kuvendit

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se ka mungesë të vullnetit politik për konstitutim të Kuvendit. Sipas tij, është bërë e gjatë dhe e neveritshme si situatë. Hazri ka theksuar se vendimet që ju takojnë politikanëve nuk ju takojnë t’ua delegojnë Kushtetueses.

“KQZ-ja dhe Kushtetuesja janë bërë organe që po sjellin vendime përmes mekanizmave tjerë politik që nuk do të duhej me qenë”, ka thënë ai.

Ibrahimaj i AAK-së thekson se Kurti ka për qëllim blerjen e kohës

Deputeti i AAK-së, Lahi Ibrahimahj, ka thënë se edhe sot Vetëvendosje do të propozojë emra që nuk votohen vetëm për të blerë kohë. Sipas tij, qëllimi i Kurtit është blerja e kohës.

“Ne do të analizojmë por qasja e tyre do të jetë e tillë deri në fund. Cilido nga emrat që nuk janë në Qeveri ne do t’i votojmë”, ka thënë Brahimaj para vazhdimit të seancës.

Avdyli: PDK-ja s’mund të na caktojë emrin për kryetar të Kuvendit

Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se kryetar i parlamentit bëhet një figurë politike me përkrahje të madhe. Avdyli ka thënë se ata po propozojnë njerëz që kanë legjitimitet qytetar.

“Ne nuk mundemi të biem pre e kërkesave të PDK-së. Ata nuk e kanë mundësinë që të na caktojnë emrin...As nuk e kemi në plan të kërkojmë përkrahje për Qeverinë. Ta formojmë Kuvendin, e pastaj ai që i ka numrat ta formojë Qeverinë. Kjo opozitë është adhuruese sekrete e Albin Kurtit”, ka thënë ai.

Rexhepi: Nuk jam e interesuar për kryekuvendare

Deputetja, Emilja Rexhepi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka një afat prej 30 ditësh për të bërë propozimet për konstituimin e Kuvendit. Kurse, ajo u shpreh se nuk është e interesuar të propozohet për kryekuvendare.

“Ne kemi 30 ditë afat me propozimet e VV, e shohim si shkon situata dhe pastaj vendosim. Nuk besoj, nuk jam e interesuar që të propozohem”, ka deklaruar ajo.

Duda Balje shpreson që PDK-ja dhe LDK-ja do të bëjnë marrëveshje me LVV-në

Deputetja Duda Balje ka thënë se ka shpresë që brenda këtyre 30 ditëve dikush do të lëshojë pe për të kaluar ngërçin politik. 

Balje ka thënë se nuk planifikon të ndryshojë qëndrimin nda Vetëvendosjes.

“Shpresoj që PDK-LDK që kanë fuqi më të madhe se unë do të bëjnë marrëveshje për tejkalimin e kësaj situate”, ka thënë ajo.

Deputetët sërish sot tentojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili ka mbetur i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Partia që ka të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit ka paraqitur deri tani tre emra: Albulena Haxhiu, Donika Gërvalla dhe Hekuran Murati. Asnjëri prej tyre nuk ka arritur të marrë shumicën e votave, duke mbledhur vetëm 57 vota pro në dy tentativat e fundit.

Edhe pse ende nuk dihet cili emër do të propozohet sot nga Lëvizja Vetëvendosje, është fakt që një kandidat nuk mund të propozohet më shumë se tri herë.

Ndërkaq, AAK-ja në seancën e fundit abstenuan në votimin për Muratin, ndryshe nga dy herët e tjera kur votuan kundër Haxhiut dhe Gërvallës.

Vetëvendosje vazhdimisht ka sulmuar partitë ish-opozitare për bllokimin e Kuvendit.
PDK-ja ka deklaruar se do ta votojë çdo deputet të VV-së që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Albin Kurtit. LDK-ja, ndërkaq, është e vendosur të votojë kundër çdo kandidati të VV-së.

Ngërçi politik vazhdon të jetë shqetësues. Njohësit e politikës kërkojnë konsensus mes partive për të dalë nga kjo situatë, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk do të jenë zgjidhje, pasi rezultatet pritet të jenë përafërsisht të njëjta.

Argumenti i njohësve të politikës është se mungesa e institucioneve ka dëmtuar ndjeshëm qytetarët dhe ekonominë, ndërsa zgjidhja e vetme është dialogu dhe kompromisi politik.
“Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme nuk do të sjellë ndryshime dramatike. Do të kemi përsëri një ngërç tjetër pas tyre,” ka theksuar analisti Argjend Zejnaj, raporton RTKlive.

Nga ana tjetër, politikanë dhe analistë janë optimistë se Kuvendi do të konstituohet së shpejti, megjithëse as Lëvizja Vetëvendosje dhe as ish-opozita nuk kanë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

“Çdo vonesë dëmton popullin dhe institucionet. Duhet të formohen institucionet sa më parë,” ka thënë Jeton Halimi, politikan dhe analist.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat deputetëve që të zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët deri më 18 shtator, duke shtuar presionin mbi partitë për të gjetur një zgjidhje.


MË SHUME NGA Në Fokus