Haxhiu, Çitaku, Shala e Rexhepi zgjidhen nënkryetarë të Kuvendit
BKT
Lajme

Haxhiu, Çitaku, Shala e Rexhepi zgjidhen nënkryetarë të Kuvendit

RTKlive

(E përditësuar) Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Çitaku e Partisë Demokratike dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike janë zgjedhur nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.

Për votimit të tyre ishin 101 deputetë. Nëntë të Listës Serbe abstenuan.

Ndërkohë, shumicën e votave të deputetëve për nënkryetare i mori edhe Emilia Rexhepi nga komunitetet joshumicë serbe.

Megjithatë, procesi i konstituimit të plotë të Kuvendit është bllokuar tek zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb. Lista Serbe ka insistuar në propozimin e Slavko Simiqit, por ai në tri raste nuk i ka marrë votat e deputetëve. LVV ka votuar kundër, PDK ka abstenuar, derisa LDK nuk ka marrë fare pjesë në votim. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i ka kërkuar Listës Serbe që në frymën e aktgjykimit të fundit të Kushtetueses ta ndryshojë kandidatin, por një gjë të tillë deputetët e këtij subjekti politikë e kanë refuzuar.

Pas konsultimit me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, kryeparlamentari Basha theksoi se kalohet në paragrafin tjetër të rregullores së Kuvendit, për shkak se Lista Serbe refuzon të japë kandidatë tjetër.

“Në gjykimin tim kandidati është ezauruar, Lista Serbe po refuzon të propozojë kandidat tjetër, prandaj vazhdojmë me paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit, i cili thotë se ‘Në rast të mos propozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komunitetit përkatës dhe kjo procedurë administrohet nga kryetari i Kuvendit”, tha Basha, duke ftuar administratën të bëjë përgatitjen e procesit të shortit.

Votohen nënkryetarët e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë rikthyer pas një pauze më të gjatë se një orë. Përfaqësuesit e grupeve parlamentare po propozojnë kandidatët e tyre për nënkryetar Kuvendi.

Albulena Haxhiu është propozuar si nënkryetare e Kuvendit nga LVV. PDK e propozoi Vlora Çitakun, derisa nga LDK u propozua Kujtim Shala.

Kuvendi shkon në pauzë, rikthehet pas një ore

Kuvendi i Kosovës pasi zgjodhi kryetarin e saj, po shkon në një pauzë njëorëshe. Kryeparlamentari i ri, Dimal Basha kërkoi nga deputetët të kthehen në orën 12:30 për vazhdimin e pikës së katërt të rendit të ditës

Tejkalohet ngërçi, Dimal Basha kryetar i Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën si kryetar të institucionit në përpjekjen e 58-të të konstituimit.

Në votim ishin 73 vota pro Bashës, 30 kundër dhe 3 abstenuan.

Votat e deputetëve të PDK-së e ndërruan rrjedhën e procesit dhe i dhanë dritën jeshile për kryekuvendar kandidatit të LVV-së.  

Deputetët e LDK-së votuan kundër.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit - LIVE

Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Mblidhen deputetët, sot përpjekja tjetër për zgjedhjen e kryekuvendarit

Përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë dështuar të dielën, pasi asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të udhëhequr institucionin më të lartë legjislativ të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi tre kandidatë për postin e kryeparlamentarit: Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha. Të tre kandidaturat dështuan. Murati mori 55 vota, Nagavci po ashtu siguroi 55 vota për. Kandidati i fundit, Dimal Basha, arriti të marrë 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime, por as ai nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë.

Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Pas dështimit të të gjitha kandidaturave, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet sot, të martën.

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet një hap kyç për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të tjera.


MË SHUME NGA Lajme