Lëshohet në qarkullim ura e re mbi lumin Ibër
V.S|RTKlive
Është lëshuar në qarkullim ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të veriut. Këtë e ka konfirmuar sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në rrjete sociale, derisa në fotografinë e postuar nga ai shihen vetura e qytetarë duke lëvizur mbi urë.
Edhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka shkruar për hapjen e urës së re. “Qytetarë të Kosovës e gëzofshim urën e re", shkroi ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se situata është e qetë dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.
“Çdo gjë është në rregull. Ju keni parë forca të shtuara policore deri sot, duke pasur parasysh se janë masat preventive që ne duhet t’i ndërmarrim. I keni parë forcat speciale, por që nuk janë më. Tash i kemi policinë e rendit, për momentin i kemi edhe veç shkurt, besoj sot e nesër, mandej vendosim si tutje. Situata është e qetë, është e mirë. Nëse ka nevojë për reagim, policia reagon sikur do të reagonte për ndonjë urë në Gjakovë, Prizren apo diku tjetër. Ne, u bëjmë thirrje njerëzve që nuk kanë nevojë të nxiten në patriotizëm dhe të vijnë të nxisin situatën, sepse do t’i kthejmë prapa. Puna jonë është të mbajmë rendin dhe qetësinë publike. Qarkullimi është normal, me siguri se do të ketë edhe punë tjera anësore tek ura”, tha Elshani.
E qytetarët e Mitrovicës e kanë vlerësuar pozitivisht hapjen e urës së re. “Po ndihem i lumtur, është një fitore e madhe. Një vlerë e madhe, ma merr mendja se gjithë populli është gëzuar shumë. Kjo është për të mirën e gjithë kombit, pa marrë parasysh se ku jetojnë. Urat janë lidhëse, nuk janë ndarëse. Propaganda e njerëzve të pashpirt thotë se janë të dëmshme, por këto nuk janë të dëmshme. Mitrovica është e bashkuar, edhe veriu edhe jugu. Bile nuk është dashur të thuhet veriu e jugu, por Mitrovica e bashkuar”, u shpreh një qytetar.
Një tjetër qytetar tha se kjo urë do të ketë rëndësi të madhe për gjithë vendin. “Kjo urë besoj është lidhëse mes jugut dhe veriut dhe që iu ka dashur moti, jo vetëm qytetarëve të Mitrovicës, por gjithë popullatës së Kosovës”, theksoi ai.
Ura u hap në ditën e 55-të prej kur nisi ndërtimi i saj.























