Reagimet pas seancës, liderët e partive patën qëndrime të ndryshme |VIDEO
Arlinda Sejda / RTK
Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit, liderët e partive politike reaguan me qëndrime të ndryshme.
Memli Krasniqi theksoi se Partia Demokratike votoi për ta zhbllokuar situatën, ndonëse thotë se as qytetarët dhe as votuesit e Vetëvendosjes nuk janë të kënaqur me përzgjedhjen e bërë nga Vetëvendosje.
“Në një situatë normale ky do të ishte lajm pozitiv, e parimisht është. Shpresojmë që në vazhdim të seancës të zgjidhen edhe nënkryetarët. Jam i bindur që as votuesit e LVV-së e as qytetarët nuk janë të lumtur me përzgjedhjen që e ka bërë Albin Kurti për kryetar të Kuvendit. Albin Kurti e LVV-ja konsiderojnë që qytetarët e Kosovës më së miri i përfaqëson Dimal Basha. Në një situatë normale asnjëherë nuk do ta votonim dikë si Dimali në krye të Kuvendit, por ne sot kemi votuar siç kemi thënë nga dita e parë për ta zhbllokuar situatën dhe për t’i qëndruar besnik fjalës publike, sepse për mua e për PDK-në kjo është më e rëndësishme”, tha Krasniqi.
Lumir Abdixhiku, vuri në pah se Lidhja Demokratike dallon në vlera sa i përket respektimit të Kushtetutës dhe cilësive të atyre që duhet t'i udhëheqin institucionet.
“Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave, në radhë të parë pakicave serbe dhe duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtës për propozim në këtë drejtim. Ajo që është fatkeqe është që Kosova të mos mbetet me institucionet e veta peng i vullnetit të Beogradit. Mendoni nesër një situatë kur Lista Serbe nuk propozon fare emër e më pas i gjithë institucioni mbetet i bllokuar e këtë praktikë nuk guxojmë ta lejojmë e besojmë që këtu ka ndodhur një lëshim i madh politik nga kryetari i ri e nga partia e parë”, deklaroi Abdixhiku.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se e votoi Bashën pasi u bind se kandidatura e tij ishte serioze nga ana e Vetëvendosjes, por paralajmëroi vështirësi në zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
“Ne kemi pasur një votim të lirë si grup. Unë personalisht ia kam dhënë votën. I kam pyetur a e kanë seriozisht që ky është kandidati i preferuar për kryetar të Kuvendit, më thanë po dhe kështu vepruam, votuam për. Ky është realiteti i Kosovës deri në pafundësi nuk mund të lëmë kështu. Mendoj që ky moment të jetë hapi i parë, por të shohim tash si do të jetë sfida e radhës, zgjedhja e nënkryetarëve. Edhe aty e shoh një problem që nuk do të kalojë shumë lehtë edhe kur dihet se nënkryetarët do të votohen ndaras, njëherë do të jenë nënkryetarët e partive parlamentare shqiptare e pastaj të komunitetit serb, e nuk e dimë si do të jetë situata rreth numrit të votave”, deklaroi Haradinaj.
Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se ndërtimi i institucioneve kërkon marrëveshje dhe pjekuri politike.
“Pa marrëveshje politike nuk mund të ndërtohen institucionet. Ne jemi të interesuar që gjërat të shkojnë aty ku duan qytetarët?, ka thënë ai, pak para vazhdimit të seancës konstituive për herë të 58-të”, tha Limaj.
Sipas Limajt, ndërtimi i institucioneve nuk është garë por proces që duhet pjekuri politike.























