Policia e Kosovës: T’i mbajmë fëmijët të sigurt në internet
E.Hoti/RTKlive
Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e sigurisë publike dhe mbrojtjen e fëmijëve, ka trajtuar kohëve të fundit disa raste shqetësuese të postimeve në internet nga fëmijët që përfshijnë vetëlëndim dhe përmbajtje që lidhen me vetëvrasjen.
Sipas njoftimit, në bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet përkatëse, Policia ka arritur të identifikojë fëmijët e rrezikuar, duke siguruar prezencën dhe mbrojtjen e tyre. Gjithashtu thuhet se janë njoftuar prindërit dhe mekanizmat përgjegjës për trajtimin e duhur dhe profesional të rasteve.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin dhe përkushtimin në krijimin e një ambienti më të sigurt dixhital, veçanërisht për fëmijët, të cilët janë më të cenueshëm ndaj rreziqeve që sjell internet”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, me qëllim që të parandalohen rreziqet në internet që iu shfaqen fëmijëve, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve, posaçërisht prindërve, që të kujdesen për fëmijët e tyre se çfarë bëjnë dhe postojnë në internet.
Palicia ka dalë edhe me këshilla dhe kërkesë për prindërit dhe fëmijët për përdorim të drejtë dhe të sigurt të internetit
“Bisedoni rregullisht me fëmijët tuaj për rreziqet në internet, monitoroni aktivitetet e tyre online dhe përmbajtjet që konsumojnë apo shpërndajnë, kontrolloni çfarë aplikacionesh dhe lojërash përdorin, informohuni nëse ndonjëra prej lojërave përmban sfida të rrezikshme që mund të çojnë në vetëlëndim, sigurohuni që fëmijët tuaj nuk janë viktimë e ngacmimeve apo manipulimeve online”, thuhet në njoftim .
Ndërsa këshillat për fëmijët janë të jenë të kujdesshëm me kë shoqërohen në internet, të mos ndajnë të dhëna personale me persona të panjohur, mos të pranojnë të takohen fizikisht me dikë që e kanë njohur vetëm online pa dijeninë e prindërve, të mos shpërndajnë as përmbajtje të dëmshme, as të paligjshme, të shmangin lojërat që promovojnë dhunën, vetëlëndimin apo sjellje të rrezikshme, në rast shqetësimi, të flasin menjëherë me prindërit apo një të rritur të besuar si dhe në çdo moment, mund ta kontaktojnë edhe Policinë e Kosovës për ndihmë.























