Basha: Mos të bllokohet Kuvendi, ka trysni edhe nga ndërkombëtarët
BKT
Foto: Elmina Osmani
Lajme

Basha: Mos të bllokohet Kuvendi, ka trysni edhe nga ndërkombëtarët

M.Pasoma / RTKlive

(E përditësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka kërkuar vazhdimin e punës së këtij institucioni duke aluduar edhe te presioni ndërkombëtar.

“S’ka logjikë të bllokohet Kuvendi i Republikës për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari. I kemi pesë anëtarë në Kryesi. Të vazhdojë rrjedhja e afatit për caktimin e mandatarit dhe të kemi institucione funksionale siç na presin qytetarët. Kemi edhe trysni dhe kërkesa nga miqtë ndërkombëtarët që të vazhdojë puna e Kuvendit”, ka thënë ai.

Basha: Ka korum të mjaftueshëm që Kuvendi të vazhdojë punën 

(E përditësuar) Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në deklarimin pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë, ka thënë se është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për vazhdimin e punimeve të institucioneve të legjislaturës së nëntë.

“Si kryetar i Kuvendit kam qenë para një situate ku ose të ndaloj punimet e Kuvendit, ose të vazhdoj punimet me një Kryesi funksionale, ku kemi 5 nga 6 anëtarë pra, kuorum të mjaftueshëm,” ka thënë Basha, duke aluduar në dështimin e zgjedhjes së një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb.

Ai ka thënë se, para se të vinte në mbledhjen e Kryesisë, është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

“Unë kam kërkuar nga presidentja që ta njoftoj për seancën konstituive që e kemi mbajtur dhe t’ia shpjegoj arsyetimet e mia për konstituimin e Kuvendit, para se të dal para publikut, duke marrë parasysh që Presidentja është garantuese kushtetuese,” ka thënë ai.

Sa i përket mungesës së kuorumit pas mosardhjes së nënkryetarëve Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala në mbledhje, ai ka thënë se pret që të takohen së shpejti me ta.

“Për mua, ka qenë një mbledhje konsultative me nënkryetarët, megjithatë ata kanë refuzuar,” ka theksuar Basha.

Mbledhja e parë e kryesisë së Kuvendit, mungojnë PDK e LDK

Fillon mbledhjen e parë e Kryesisë së Kuvendit. Në mbledhje e thirrur nga kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, po marrin pjesë nënkryetarja, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja nga komunitetetet, Emilia Rexhepi.

Në këtë mbledhje nuk po marrin pjesë nënkryetarët e PDK-së e LDK-së.

Mblidhet Kryesia e Kuvendit, rendi i ditës: ‘Takim konsultativ’

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës Dimal Basha ka thirrur për sot mbledhjen e kryesisë së legjislativit të ri. “Pikë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje është ‘Takim konsultativ’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga zyra për informim e Kuvendit.

N.M. /RTKlive

Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, të shtunën, e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e re duke e përmbyllur seancën konstituive, ndonëse nuk u arrit të zgjidhet nënkryetari nga komuniteti serb. Ai ka thirrur për ditën e nesërme mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, raporton RTKlive.

Kuvendi ka dalë edhe me njoftim zyrtar për mbledhjen e Kryesisë që është thirrur për ditën e hënë. “Takim konsultativ”, thuhet tek pika e rendit të ditës sipas njoftimit nga Kuvendi.

Në njoftim bëhet e ditur se ky takim ku janë thirrur katër nënkryetarët e zgjedhur të parlamentit mbahet në orën 13:00.

Kryesia e re aktualisht përbëhet nga kryetari DimalBasha, dhe nënkryetarët Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilja Rexhepi. Por, PDKdhe LDK thanë se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e së hënës, pasi Kuvendi nuk është konstituuar.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate, të shtunën, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Kryesisë së Kuvendit të hënën, me arsyetimin se nuk është konstituuar ende Kuvendi, sepse, sipas tyre, nuk është zgjedhur Kryesia në përbërjen e plotë kushtetuese.


MË SHUME NGA Lajme