Mbahen homazhet në TKOB për regjisorin Dhimitër Anagnosti
BKT
Kulturë

Mbahen homazhet në TKOB për regjisorin Dhimitër Anagnosti

RTSH

Janë mbajtur homazhet në nder të regjisorit të mirënjohur Dhimitër Anagnosti. Familjarë, miq, kolegë, bashkëpunëtorë, figura të shumta të artit, kinemasë e politikës e nderuan figurën e të ndjerit Anagnosti.

Presidenti Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj; Kryeministri Edi Rama; ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja; Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro; Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi; Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla; kryedemokrati Sali Berisha; dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, i bënë homazhet “arkitektit” të kinematografisë shqiptare në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Regjisori Anagnosti do të prehet në banesën e tij të fundit në vendlindje, në Vuno të Himarës.

Mesazhi i Kryeministrit Rama në librin e ngushëllimeve për mjeshtrin e kinemasë shqiptare, Dhimitër Anagnosti: “Jam i bindur që ke menduar shpesh për këtë ditë kur do të ndahesh përgjithnjë nga zhurma e qytetit e do të prehesh në Vunoin tënd, ku paqja e merituar do të jetë mbi ty. Me mall, Edi.”

Në nderim të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, qeveria shqiptare ka vendosur këtë të martë të shpallë ditë zie kombëtare datën 2 shtator. Në të gjithë vendin, flamujt do të ulen në gjysmështizë, ndërsa institucionet shtetërore do të zhvillojnë homazhe për nder të figurës së tij.


MË SHUME NGA Kulturë