Ambasada e Kosovës në Japoni mirëpret delegacionin e RTK-së në Tokio
RTKlive
Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni mirëpriti drejtorin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla, dhe një delegacion prej 13 pjesëtarësh të RTK-së, të cilët po qëndrojnë në Tokio në kuadër të një vizite studimore dhe bashkëpunimi me Agjencinë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe televizionin publik japonez NHK.
Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, theksoi se që nga viti 1999, JICA ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për RTK-në, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve teknike, rritjen e cilësisë së përmbajtjes dhe zhvillimin e programeve të trajnimit profesional për stafin medial.
“Gjatë takimit, u diskutua për projektet aktuale dhe bashkëpunimet ekzistuese, si dhe u prezantuan një sërë projektesh të reja që pritet të realizohen në të ardhmen në kuadër të kësaj partnerie afatgjatë,” ka shkruar ambasadori Kiçmari në një postim në rrjetin social Facebook.
Ambasadori falënderoi drejtorin Gërvalla dhe ekipin e RTK-së për vizitën dhe bisedat konstruktive, duke ritheksuar përkushtimin e Ambasadës për të mbështetur çdo iniciativë që forcon marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Ky bashkëpunim ndërinstitucional përfaqëson një dëshmi të qartë të marrëdhënieve të qëndrueshme dhe të thelluara ndërmjet dy vendeve tona.























