NHK e Japonisë dhe RTK ideojnë konceptet fillestare për emisione të reja
BKT
Lajme

NHK e Japonisë dhe RTK ideojnë konceptet fillestare për emisione të reja

RTKlive

Përfaqësuesit e NHK-së dhe JICA-s përgëzuan RTK-në për hapjen e Zyrës Rajonale në Pejë,  pa kosto financiare për transmetuesin publik të Kosovës. Gjatë vizitës në Tokio, delegacioni i RTK-së së bashku me ekspertët e NHK-së ideuan konceptet fillestare për emisione të reja, që synojnë përfshirjen e publikut dhe thellimin e bashkëpunimit Kosovë–Japoni.

Përfaqësuesi i Transmetuesit Publik të Japonisë- NHK, Kei Matsui, gjatë ligjëratës së sotme në Tokio, përgëzoi përfaqësuesit e RTK-së për punën e deritanishme dhe për hapjen e Zyrës Rajonale në Pejë, pa asnjë kosto financiare për transmetuesin publik të Kosovës.

Sipas tij, hapësirat e kësaj zyre, të ndara nga Komuna e Pejës, ofrojnë kushte shumë të mira jo vetëm për funksionimin efikas, por edhe për organizimin e emisioneve të ndryshme. Ai shtoi se fakti që RTK ka në shfrytëzim edhe Sallën e Qendrës Rinore, e bën këtë hapësirë edhe më të rëndësishme për shërbimin publik.

Përfaqësuesi i NHK-së, Mai Matsu, vlerësoi lart realizimin e emisionit të përbashkët të RTK1 dhe RTK2, pjesë e bashkëpunimit shumëvjeçar mes RTK-së dhe JICA-s. Ai theksoi se ky projekt është dëshmi e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy kanaleve të RTK-së dhe përgëzoi transmetuesin publik të Kosovës për arritjen që të radhitet në mes të 6 finalistëve në Japan Prize, në mesin e më shumë se 400 transmetuesve publik.

Drejtori i Televizionit të RTK-së, Rilind Gërvalla, në takimet me përfaqësues të JICA-s, të NHK-së dhe në pritjen nga Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, vlerësoi lart ndihmën dekadëshe të popullit të Japonisë përmes JICA-s dhe NHK-së.“JICA është partneri më besnik i RTK-së tash e mbi një dekadë. Pa ndihmën e saj, RTK nuk do të kishte as kapacitetet teknike që gëzon sot, e as nivelin e profesionalizmit të burimeve njerëzore. Stafi i RTK-së do të mbetet gjithmonë mirënjohës ndaj JICA-s,” u shpreh Gërvalla, duke shtuar se thellimi i këtij bashkëpunimi është vendimtar për të ardhmen dhe suksesin e transmetuesit publik të Kosovës.

Gjatë punimeve të sotme, delegacioni i RTK-së, në bashkëpunim me ekspertë të NHK-së, ideoi konceptet fillestare për emisione të reja me fokus përfshirjen e publikut. Sipas Gërvallës, këto emisione pritet të bëhen pjesë e skemës programore të RTK-së në të ardhmen e afërt.


MË SHUME NGA Lajme