Grafite të kriminelit Mladiq në Bujanoc
BKT
Lajme

Grafite të kriminelit Mladiq në Bujanoc

RTKlive

Në qendër të Bujanocit janë shfaqur grafite me emrin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq. Politikani nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, i ka quajtur grafitet të papranueshme dhe kërcënim ndaj sigurisë e bashkëjetesës.

 Mustafi, që është këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në një qytet me shumicë shqiptare, në vitin 2025, të shfaqet publikisht emri i gjeneralit të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, bashkë me simbole nacionaliste e urrejtëse, është dëshmi e qartë e rrënimit të sigurisë publike dhe mosndëshkimit institucional. "Në gusht u thye billbordi i Komandant Lleshit, një figurë e dashur për shqiptarët e Luginës, në përvjetorin e rënies së tij. Asnjë reagim nga autoritetet. As policore. As institucionale. Sot, kemi “Ratko Mladiq” me të kuqe në qendër të qytetit. E njohim mirë këtë stil: nacionalizëm, provokim dhe frikësim i qëllimshëm i shqiptarëve në vendin e tyre”, ka shkruar Mustafi në Facebook. Lidhur me këto grafite kanë reaguar edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani dhe deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi.


MË SHUME NGA Lajme