`Kosova përballë Suedisë me mision të vështirë, por jo të pamundur`
F.B/RTKLive
Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte do të përballet me Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ndeshje që do të transmetohet në RTK.
Pas humbjes në udhëtim ndaj Zvicrës, atmosfera në taborin e “Dardanëve” mbetet pozitive, me besimin se përballë suedezëve do të ketë një paraqitje më dinjitoze.
Analistët e RTK-së, Jusuf Tortoshi dhe Malsor Gjonbalaj, në emisionin “Dardanët” u shprehën se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, por Kosova mund të tregojë një fytyrë më të mirë.
“Do të jetë një lojë shumë interesante. Suedia është skuadër e fortë. Besoj se futbollistët tonë do ta harrojnë lojën e kaluar dhe do të paraqiten më mirë sonte kundër Suedisë”, ka thënë Tortoshi.
Edhe Gjonbalaj e sheh sfidën si të komplikuar, por me shpresë për ndryshim pozitiv.
“Si çdo ndeshje ekipet luajnë për fitore dhe për pikë. Kosova bëri një lojë jo të mirë në Zvicër, derisa suedezët bën lojë më të mirë ndaj Sllovenisë. Kemi disa ndryshime në formacione dhe mbetet të shihet sa do të ndikojnë në lojën tonë. Do të jetë një ballafaqim shumë i vështirë po aq sa me Zvicrën. Suedia ka sulmues të shpejtë, ka shumë potencial sa që Isak është në bankinë. Është një skuadër shumë e fortë jashtëzakonisht në ndërprerje”, ka theksuar Gjonbalaj.
Ndeshja Kosovë – Suedi fillon në orën 20:45.























