Vrapimi kundër kancerit të gjirit, thirrje për diagnostifikim të hershëm
Arbresha Berisha | RTK
Për 7 muaj në Kosovë janë regjistruar mbi 1 mijë e 50 raste me kancer. Te gratë dominon kanceri i gjirit, derisa te burrat ai i mushkërive. Për këtë në Prishtinë u mbajt ecja dhe vrapimi në luftën kundër kancerit të gjirit. Nga sheshi i Prishtinës u bë thirrje qytetarët të bëjnë kontrolle në mënyrë që të diagnostikojnë sëmundjen me kohë.
Fëmijë, të rinj, të reja e të moshuar, të gjithë së bashku ecën e vrapuan në sheshin e Prishtinës, në fushatën vetëdijesuese për luftën kundër kancerit të gjirit.
Vetëm për 7 muajt e parë të këtij viti, mbi 1 mijë e 50 raste me këtë sëmundje u regjistruan në vend.
Te gratë prijnë rastet me kancer të gjirit.
“Për të zbuluar këtë sëmundje me kohë, qytetarëve iu bë thirrje që të kryejnë kontrolle të shpeshta”, tha Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë.
Në këtë drejtim, kontrolle falas të njëjtët patën mundësinë që gjatë së dielës t’i bëjnë në sheshin e Prishtinës.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, tha se gratë do të kenë mundësinë që mamografinë ta bëjnë pa pagesë në kryeqytet.
"Kemi rritje të 245% më shumë mamografi të realizuara në kryeqytet se para 3 viteve. 2 mamograf janë blerë vetëm në tri vitet e fundit në Prishtinë. Mamografia është pa pagesë për të gjitha gratë", tha ai.
Mbi 2 mijë raste të reja me kancer janë regjistruar gjatë vitit të kaluar në Kosovë.























