Rekord botëror nga Mondo Duplantis në kërcim me shkop
F.B/RTKLive
(E përditësuar) - Superylli suedez Mondo Duplantis ka thyer sërish rekordin botëror në kërcim me shkop, duke kaluar lartësinë prej 6.30 metrash në Kampionatin Botëror të Atletikës Tokio 2025.
Duplantis e arriti këtë sukses të madh në përpjekjen e tij të tretë dhe të fundit, duke siguruar njëkohësisht edhe titullin e tij të tretë radhazi botëror, si dhe trofeun e tetë madhor në arenën ndërkombëtare.
Konkurrenca ishte nga më të fortat në histori. Greku Emmanouil Karalis siguroi medaljen e argjendtë me 6.00 metra, ndërsa australiani Kurtis Marschall barazoi rekordin e tij personal prej 5.95 metrash, duke marrë bronzin pas numërimit të përpjekjeve.
Ky kampionat shënoi për herë të parë në histori që shtatë atletë kaluan mbi 5.90 metra, si dhe që lartësia 5.95 metra nuk mjaftoi për një medalje.
“Është më mirë se sa mund ta kisha imagjinuar. Ju dhurova një rekord botëror dhe është e pabesueshme. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm, faleminderit shumë. Jam thjesht shumë i lumtur,” u shpreh Duplantis.
Faith Kipyegon, e paprekshme në 1500 metra
(E përditësuar) -“A mund ta ndalë dikush Faith Kipyegon?”. Kjo ëshë pyetja që bëjnë rivalet e saj dhe mijëra tifozë në Stadiumin Kombëtar të Tokios, në ditën e katërt të Botërorit të Atletikës.
Mbretëresha e garave të mesme duket e pathyeshme në 1500 metra, ndërsa synon të përsërisë dopietën historike 1500m-5000m që realizoi edhe në Kampionatin e kaluar Botëror.
31-vjeçarja keniane këtë sezon ka thyer sërish rekordin botëror në 1500 metra dhe tani është në kërkim të titullit të katërt botëror në këtë distancë.
Faith Kipyegon mbetet simbol i dominimit absolut në pistë, duke e ngritur edhe më lart standardin e garave të mesme për femra.
Rogers thyen rekordin kontinental në hedhjen e çekiçit
(E përditësuar) - Atletja kanadeze Camryn Rogers ka shkëlqyer në disiplinën e hedhjes së çekiçit, duke vendosur një rekord kontinental me rezultatin mbresëlënës prej 80.51 metrash.
Ky është një hap historik për sportin kanadez, pasi Rogers jo vetëm që forcon pozitën e saj si një nga hedhëset më të mira në botë, por gjithashtu i jep Amerikës së Veriut një standard të ri në këtë disiplinë.
Me këtë arritje, Rogers konfirmon formën e saj të jashtëzakonshme dhe shihet si favorite për medalje të arta në garat më të mëdha ndërkombëtare.
Felix Simbu shkruan historinë në maratonën e Botërorit
Pas 26 miljeve nëpër rrugët e Tokios, maratona e meshkujve në Kampionatin Botëror të Atletikës dhuroi një fund dramatik.
Tanzaniani Alphonce Felix Simbu fitoi me vetëm tre të qindtat e sekondës ndaj gjermanit Amanal Petros, duke u bërë kështu kampioni i parë botëror në histori për Tanzaninë.
Të dy atletët përfunduan garën me kohën 2:09:48, por Simbu ishte një hap më përpara në hyrje të stadiumit kombëtar të Japonisë.
Ky është titulli më i madh në karrierën e 33-vjeçarit, i cili më parë kishte fituar bronz botëror në Londër 2017 dhe dy herë kishte mbyllur garat në vend të dytë – në maratonën e Bostonit këtë vit dhe në Lojërat Commonwealth 2022.
Medaljen e bronztë në Tokio e fitoi italiani Iliass Aouani, me kohën 2:09:53.























