Rubin: Britanikët dhe NATO kërkuan firmën e Thaçit për marrëveshjen
BKT
Foto/ RTK
Gjykata Speciale

Rubin: Britanikët dhe NATO kërkuan firmën e Thaçit për marrëveshjen

A.B / RTKlive

(E plotësuar, ora 17:23) Dëshmitari James Rubin theksoi se dokumenti i marrëveshjes së demilitarizimit, i nënshkruar në qershor të 1999-ës, ishte përgatitur që të nënshkruhej nga dikush tjetër. Sipas tij, britanikët dhe NATO-ja kërkuan që ky dokument të firmosej nga Hashim Thaçi.

Gjatë dëshmisë së tij, Rubin deklaroi se dokumenti ishte përgatitur që të nënshkruhej nga komandanti i UÇK-së, por britanikët dhe NATO thanë që duhej ta firmoste Thaçi këtë dokument.

Rubin theksoi se i dukej se marrëveshja do të nënshkruhej nga Çeku, i cili njihej si komandant i UÇK-së.

Ai tha se nuk e di se kush e kishte emëruar Agim Çekun si komandant të UÇK-së dhe as kujt i raportonte.

"Ishte një dokument që ishte përgatitur për dikë tjetër para se të vija unë dhe Thaçi atje. Britanikët dhe NATO thanë që jo, duhej ta firmoste Thaçi. Mua më duket se këtë do ta nënshkruante Agim Çeku”, theksoi Rubin.

Kur u pyet nëse ai i raportonte Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Rubin tha se ajo ka qenë më shumë aspiratë sesa realitet.

“Nuk ka ekzistuar Qeveria e Përkohshme. Ka qenë më shumë aspiratë sesa realitet. Thanë që donin ta krijonin një vend të tillë, por kishte sulme të vazhdueshme dhe ishin të shpërndarë në të gjithë territorin. S’kishte vend fizik ku të ishte Qeveria”, u shpreh Rubin. Ai ka thënë se nuk beson që i ka raportuar Qeverisë së Përkohshme që përmendet nga gjyqtari.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një deklaratë e Agim Çekut, ku flitej për Qeveri të Përkohshme, por kjo, sipas Rubin, ishte më shumë propagandë që publiku dhe ndërkombëtarët të besonin se ata funksiononin kështu.

Ai tha se ata aspironin për lirinë e tyre dhe donin të paraqiteshin më të strukturuar sesa që ishin.

“Arsyeja pse Amerika nuk iu dha armë UÇK-së ishte për shkak të mungesës së strukturës dhe kapaciteteve, përkundër asaj që ata paraqiteshin”, theksoi ai.

Rubin tha se me dëshirën e tij do ta kishte përfunduar dëshminë sot dhe ishte në gjendje të qëndronte më gjatë, por trupi gjykues i tha se pyetjet për të nuk kanë përfunduar dhe se do të vazhdojë edhe mbrojtja me pyetje, përveç trupit gjykues.

James Rubin do të vazhdojë nesër me pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor dhe palëve tjera.

Rubin: S’kam parë në Kosovë diçka që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm

Rubin ka deklaruar në Hagë se në Kosovë nuk ka parë asgjë që i ngjante Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ai tha se, përveçse nuk ka parë ndonjë shtab, nuk ka parë ndonjëherë as ndonjë gjeneral.

“Unë nuk kam parë asgjë në Kosovë që i përngjante Shtabit të Përgjithshëm. Nuk ka pasur ndonjë shtab për gjeneralët në kontekstin e Kosovës. Unë s’kam parë ndonjëherë gjeneral. Unë s’kam parë ndonjëherë Shtab të Përgjithshëm të gjeneralëve”, tha Rubin.

Përveç kësaj, gjatë dëshmisë së tij, Rubin foli edhe për qëndrimet e diplomatit amerikan Christopher Hill ndaj UÇK-së, duke treguar se Hill kishte qenë kundërshtar i qartë i saj.

Ish-diplomati amerikan: Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK

(E plotësuar, ora 15:18)  James Rubin po vazhdon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria ka marrë në pyetje Rubinin,  kurse tani po i bëhen pyetje nga trupi gjykues.

Ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, James Rubin, ka folur për diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së.

Ai ka thënë se nuk kanë mundur t’iu thoshin luftëtarëve që “nuk ju japim armë, sepse ju nuk jeni të organizuar”.

“Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së. Dhe, ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv. Bëmë gjykimin tonë më të mirë, kemi bërë një vlerësim, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe komandës, që ne besonim që UÇK-ja nuk e kishte. Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, theksoi ai.

Rubin ka sqaruar edhe njëherë përshtypjet e tij për Hashim Thaçin në periudhën e Konferencës së Rambujesë. Sipas Rubinit, Thaçi ishte personi kyç me të cilin ai duhej të punonte, në mënyrë që Marrëveshja të pranohej nga UÇK-ja.

Akuzat e Marty-it për trafikim organesh, Rubin: “Kurrë nuk doli diçka prej tyre”

Rubin, ish ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, i cili është thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit në Hagë, është përgjigjur në pyetjet.

Ai u mor në pyetje edhe nga Prokuroria, si dhe nga avokati i ish presidentit, Lluka Misetiq, me ç’rast u përmend edhe raporti i Dick Marty-t.

Në gjykatore u lëshua një video e Rubin e shumë viteve më parë, në një tryezë të rrumbullakët ku flitej për akuzat ndaj UÇK-së dhe përmendje ky raport.

Ishte prokuroria ai që kundërshtoi relevancën e referimit të akuzave të Marty-it, ku akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh, por mbrojtja e Thaçit insistoi.

Misetiq tha se Gjykata Speciale është ngritur saktësisht për ato akuza. Pasi e pyeti Rubin se a e dini çka ndodhi në fund të fundit me akuzat e Martyt, ai u përgjigj kështu: “Kurrë s’doli asgjë nga ajo.

Ish-diplomati amerikan, për Specialen: Kjo nuk është drejtësi |LIVE

(E plotësuar, ora 11:20) Ish-diplomati amerikan James Rubin, tha para trupit gjykues se fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën

“Mendoj që jam munduar pa fund që të jem i disponueshëm për këtë gjykatë, kam shpenzuar qindra orë përgatitje, dhe ndjesia ime ishte se gjithë njohuritë ishin të pranishme në dokumente. Pikëpamjet e Prokurorisë nuk është se do të ndihmoheshin nga kontributi im. Nëse keni nevojë për pyetje kam qenë këtu dje dhe sot. Fakti që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se 5 vjet, dhe fakti që ata janë dorëzuar vullnetarisht dhe fakti që janë mbajtur kaq gjatë më shqetëson mendoj se lidhet me politikën. Më shqetëson fakti që dikush të jetë i paraburgosur për kaq gjatë, këta persona janë dhënë vullnetarisht, dhe kanë qenë bashkëpunues me Gjykatën. Në rastin e të akuzuarve nuk e kuptoj pse është dashur të jenë në burg për 5 vjet, nuk e shoh si shtet të së drejtës, Albright nuk e ka pasur këtë drejtësi në mendje kur e ka incizuar Tribunalin e Hagës. Mua kjo më është dukur si fajësim politik për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së, Duke qenë se kam parë nga afër liderët e UÇK-së dhe asnjë person tjetër nuk e ka pasur këtë mundësi, duke pasur ide t emirë të funksionit, për 3 ditë kam parë si janë sjellë ata, kush ishte përgjegjës, komandant, mbështetës. Duke pasur këtë njohuri mendoj se kjo ka qenë e gabuar, unë nuk jam jurist, kjo nuk është drejtësi”, ka thënë ai.

Rubin: Nuk kam konfirmim për trafik droge nga UÇK-ja

Rubin, ka deklaruar në dëshminë e tij para Prokurorisë Speciale se nuk ekzistojnë prova apo informacione që mbështesin pretendimet se lidershipi i UÇK-së ka qenë i përfshirë në urdhra për vrasje apo krime të organizuara.

Sipas Rubin, akuzat e tilla janë të pabazuara dhe nuk qëndrojnë pa fakte konkrete. “Nuk ka asnjë informacion apo provë që të mbështesë pretendimet se udhëheqësit e UÇK-së kanë dhënë urdhra për vrasje apo janë përfshirë në krime të organizuara. Këto janë akuza të paprovuara. UÇK-ja vepronte në kushte represioni nga forcat serbe dhe nuk kishte një strukturë të mirëfilltë ushtarake”, tha ai, para trupit gjykues.

Rubin shtoi se qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare ka qenë të ndihmojë këtë forcë që të transformohet në një organizatë demokratike, proces i cili, sipas tij, është duke ndodhur tashmë me ndihmën e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

Në lidhje me akuzat për trafikim të drogës, Rubin theksoi se nuk informacione të pavarura. “Nuk kam asnjë konfirmim të pavarur për përfshirje të UÇK-së në trafikim droge, pavarësisht pyetjeve të vazhdueshme mbi këtë çështje”, tha ai.

Rubin: Nuk arritëm t’i vërtetonim akuzat për UÇK-në

(E plotësuar, ora 10:44) James Rubin po vazhdon ditën e dytë të dëshmisë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Pas marrjes në pyetje nga tre ekipet e Mbrojtjes dje, Prokuroria filloi marrjen në pyetje të James Rubin, dëshmitarit të parë të Mbrojtjes së Hashim Thaçit.

Ish-diplomati amerikan, Rubin u pyet nga Prokurori rreth pretendimeve se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përfshirë në veprimtari kriminale dhe vrasje. Në përgjigjen e tij, ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kishin shqyrtuar këto akuza, por nuk kishin arritur t’i vërtetonin

“Ka patur pretendime dhe akuza për një vit, ne shikuam ato nuk arritëm t’i vërtetonim. Mendoj që po ata ishin një forcë qe duhej të merreshin parasysh dhe në konsideratë në terren dhe ne donim të krijonim një Kosovë më afatgjate, të kishim shkëmbime dhe të punonim me z. Thaçi”, deklaroi Rubin.

Prokurori i çështjes e pyeti nëse është e saktë që në vitet 1998 dhe 1999 mediat ndërkombëtare dhe organizatat tjera kishin publikuar raporte me pretendime të besueshme për krimet e kryera nga pjesëtarë të UÇK-së.

Raporti i OKB-së, Rubin: Kam qenë skeptik, s’e përshkruanin mirë situatën

Ish-diplomati amerikan James Rubin, tha se një raport i vitit 1998 i OKB-së, nuk e përshkroi mirë situatën në Kosovë. Ai tha se ka qenë skeptik, pasi sipas tij, nuk ka qenë edhe aq i besueshëm.

“Kam lexuar një raport të  OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh. Jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm”, theksoi ai. Në atë raport, siç u citua e u lexua nga prokurori i Speciales, pretendohej se njerëz, pjesë e UÇK-së, rrëmbyen civilë dhe policë serbë.

Rubin: S’më kujtohet nëse Krasniqi e Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin, tha sot para trupit gjykues se nuk i kujtohet nëse Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit shqiptar në Rambuje ( Rambouillet) të Francës në vitin 1999.

“Nuk më kujtohen të gjithë emrat, sepse kjo ka ndodhur para 25 vjetësh”, ka thënë ai.

Rubin ka thënë se nuk ka informacion për dallimet brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur është pyetur për një dokument në të cilin thuhej se Adem Demaçi e përshkruante Hashim Thaçin si zëdhënës.

Rubin tregon se nuk ka marrë pjesë çdo herë në takimet e udhëheqësve të UÇK-së

Në fillim të dëshmisë së tij, Rubin tha se nuk ka marrë pjesë çdo herë në takimet e udhëheqësve të UÇK-së, megjithatë tha se mund të ketë qenë pranë siç tha ai, sallës ku mbaheshin mbledhjet.

“Përgjithësisht kam pasur njohur për diskutimet lidhur me UÇK-në. Takime të gjata ka pasur, marrëveshje në mes të udhëheqësve të UÇK-s. Nuk jam i sigurt nëse kam qenë në atë zonë, por nuk flisja shqip. Ata mund të kenë biseduar gjëra që nuk i kam kuptuar, por nuk më kanë ndaluar të isha në atë dhomë ku mbaheshin mbledhjet apo takime”, tha ish-diplomati amerikan.

Ish-diplomati amerikan, James Rubin sot e vazhdon dëshminë në Speciale

James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, vazhdon sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë.

Dje mbrojtja nisi paraqitjen e provave në gjykimin Thaçi dhe të tjerët duke thirrur dëshmitarin e parë, në këtë rast James Rubin.

Sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, dëshmitari James Rubin  ka shërbyer si Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së për Çështjet Publike dhe Zëdhënës Kryesor nga viti 1997 deri në vitin 2000. 

Përfaqësues të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dje ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të shoqëruar dëshmitarin.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Rubin tha se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë UÇK-në.

“Qeveria serbe gjithmonë është përpjekur të fajësojë UÇK-në dhe kjo është në përputhje me mënyrën e veprimit të regjimit serb, mënyrë se si ka vepruar në atë kohë, kjo është mënyra se si ata janë përpjekur të justifikonin fajin tek të tjerët”, tha ai.

"Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe as mundësi për të diktuar ndonjë gjë", ka deklaruar në dëshminë e tij James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale