‘Liverpool-Atletico Madrid, do të jetë një sfidë e fortë dhe atraktive`
F.B/RTKLive
Elita e futbollit evropian vazhdon sonte me katër përballje interesante, por kryendeshja do të luhet në “Anfield”, ku përballen Liverpool dhe Atletico Madrid, duel që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Analistët e RTK-së parashohin një duel të fortë dhe atraktiv. Trajneri Ramiz Krasniqi thekson se Liverpool këtë sezon ka një skuadër të përforcuar ndjeshëm.
“Liverpool-i është i fortë. Shpenzimet që i ka bërë këtë verë janë enorme, me prurje shumë cilësore. Kërkohen rezultate të mëdha. Por Atletico mbetet ekip i paparashikueshëm, me një trajner karizmatik, që gjithmonë e bën ndeshjen interesante”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, gazetari i sportit Leart Sveçla thekson se sonte përballen dy nga skuadrat që kanë shpenzuar më së shumti në dy vitet e fundit.
“Liverpool ende nuk ka bindur me lojë, por ka marrë 12 pikë në kampionat. Edhe Atletico nuk e ka nisur mirë, me vetëm një fitore këtë sezon. Do të jetë interesante të shihet si do t’i qaset kësaj ndeshjeje ndaj Liverpool-it”, ka deklaruar Sveçla.
Sfida Liverpool – Atletico Madrid fillon në orën 21:00 dhe mund ta ndiqni ekskluzivisht në RTK.























