`Deadline` rikthehet sonte në skenën e Baletit Kombëtar të Kosovës
Sh.G|RTKlive
Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sonte më 18.09.2025, do të shfaqë reprizën e baletit “Deadline”.
Repriza e kësaj shfaqjeje do të jepet duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Sipas BKK-së, shfaqja “Deadline”, një balet bashkëkohor nga koreografi Sead Vuniqi, na çon në botën magjepsëse të një redaksie gazete në kulmin e epokës së artë të shtypit – vitet 1920 në një metropol evropian.
“Përmes një gjuhe lëvizjeje dinamike dhe ekspresive, shfaqja pasqyron energjinë dhe përkushtimin e këtij mjedisi të gjallë, ku bashkëpunojnë gazetarë dhe fotoreporterë, gazetarë të rinj, një magnat i shtypit, punëtorë, stenografistë dhe sekretare”- thuhet në njoftim.
Premiera e baletit “Deadline” ishte dhënë më 20.03.2025, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.























