Hundozi: RTK mbetet shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve
RTKlive
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hysen Hundozi përmes një mesazhi ka uruar stafin e transmetuesit publik në 26-vjetorin e themelimit.
Ai ka thënë se ky përvjetor nuk është vetëm një ditë për t’u shënuar, por edhe një moment reflektimi për rrugën e kaluar dhe planet për të ardhmen.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën aktuale, kryesisht si pasojë e mungesës së funksionalitetit të Bordit, bllokimit të Kuvendit dhe moszgjidhjes me ligj të çështjes së financimit dhe pronës së RTK-së. Përkundër këtyre sfidave, kemi dëshmuar se edhe në rrethana të jashtëzakonshme mund të ruajmë funksionalitetin e institucionit. RTK mbetet shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe e diasporës sonë. Kjo na obligon të punojmë për reforma të vërteta që forcojnë zbatimin e standardeve profesionale, pasurojnë ofertën programore dhe hapin dyert për profesionistë të rinj e ide kreative”, ka shkruar Hundozi.
Ai tutje ka thënë se është thelbësore që të gjithë të punësuarit e RTK-së të shërbejnë si shembull i profesionalizmit, përgjegjësisë dhe integritetit, qoftë në platformat e RTK-së apo në rrjetet sociale personale, duke reflektuar gjithmonë vlerat e një transmetuesi publik.
“Qëllimi ynë është të shtojmë besimin dhe përkrahjen e publikut, si parakusht për zhvillim, stabilitet dhe zgjerim të RTK-së. Po ashtu, synojmë të tërheqim audienca të reja, të përshtatemi me trendet mediale e teknologjike dhe të ndërtojmë ura besimi me qytetarët brenda dhe jashtë vendit”, ka nënvizuar Hundozi.
Ai ka vënë në pah se ky rrugëtim kërkon më shumë inovacion, transformim digjital, respektim të standardeve, përmbajtje cilësore dhe bashkëpunim me partnerët vendorë e ndërkombëtarë, në mënyrë që RTK të rreshtohet me transmetuesit publik modernë të Evropës dhe të ofrojë një shërbim tërheqës e të besueshëm për qytetarët.























