Përfundon gjykimi i Thaçit e të tjerëve për këtë javë, rinis më 29 shtator
BKT
Gjykata Speciale

Përfundon gjykimi i Thaçit e të tjerëve për këtë javë, rinis më 29 shtator

A.B|RTKlive

( E plotësuar,ora 17:15) Dëshmitari i tretë i Mbrojtjes së Hashim Thaçit, John Duncan, përfundoi dëshminë e tij. Gjykimi përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Seanca e planifikuar për nesër, 24 shtator, është anuluar. Gjykimi do të rifillojë të hënën, më 29 shtator, në orën 09:00.

Duncan: Ishte e vështirë të përcaktohej numri i saktë i ushtarëve të UÇK-së

V.S/RTKlive

(E plotësuar 14:20) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes, ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Duncan, derisa u ballafaqua me pyetjet e gjykatësit gjerman të Speciales, Kristof Barte.

Gjykatësi Barte i bëri pyetje dëshmitarit lidhur me numrin e ushtarëve të UÇK-së.

 “Dje, e keni thënë se ‘në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes ose negociatave që quan në nënshkrimin e marrëveshjes, UÇK-ja kishte rreth 20 mijë luftëtarë. Pyetja ime që kam për ju është kjo: Sa luftëtarë vlerësoni ju që të ketë pasur në atë kohë UÇK-ja. Ka pasur rreth 25 mijë ushtarë apo rreth 20 mijë ushtarë”, e pyeti dëshmitarin, gjykatësi Barte .

Duncan tha se ishte e vështirë që të përcaktohej numri atë kohë, sepse, sipas tij shifrat ishin të ndryshme.

“Ndërkohë që shifrat e NATO-s ishin pak a shumë ndërmjet këtij numri 20 mijë deri në 25 mijë, por shumë e vështirë për mua të them se cila shifër është e vërtetë, sepse ishte e vështirë që të përcaktohej kush ishte pjesë e strukturës, kush bënte çfarë, ishte e pamundur në atë kohë të kishte një numër ekzakt, por kjo është shifër e cila u identifikua pas marrëveshjes, përpara marrëveshjes ishte e vështirë të merrje një shifër nga UÇK-ja se kush ishin personat, se sa veta kishin në rendin e tyre. Në përgjigje të pyetjes suaj, nuk e kemi ditur se sa ka qenë numri ekzakt i luftëtarëve të UÇK-së, ka qenë diku nga 20 mijë deri në 30 mijë, kjo është shifra më e besueshme që na ka thënë pala tjetër kur po bënim negociatat për marrëveshjen”, tha Duncan.

Tutje, gjykatësi pyeti nëse u arrit objektivi i Rambujesë, nëse u realizua një armëpushim i sulmeve në Kosovë.

“Ndërkohë sa i takon luftimeve në kuptimin ligjor, unë do të thosha se kjo është arritur me evakuimin përfundimtar të trupave serbe dhe trupave paramilitare më 21 qershor, ndërkohë situata pas 21 qershorit nuk ishte situatë luftimesh, kishte më tepër shqetësime civile të cilat të dilnin në pah që mund të identifikoje. Ndërkohë, që KFOR-i, ishte më shumë i specializuar për ndalimin e për kufizimin e sulmeve. Dhe ky është shpjegimi që mund t’ua jap unë, mund të them që në përkufizimin ligjor të termit, luftimet kanë përfunduar pas 21 qershorit, pas tërheqjes së serbëve”, tha Duncan.

Ndërkohë, gjyqtari i ka lexuar edhe një dëshmi që Duncan i ka dhënë mbrojtjes së Thaçit ku thuhet se kishte deklaruar që ‘qeveria e përkohshme e vetëdeklaruar e Kosovës nuk ishte pranuar nga asnjë vend e asnjë organ ndërkombëtar. Në praktikë nuk kishin kompetenca për të udhëzuar “grupet civile të armatosura” për tu çarmatosur’. Ai u pyet se për çfarë bëhet fjalë këtu.

“Po përpiqem të jap përgjigje sa më të saktë, ky ishte një organizim i vetëdeklaruar, ishte një qeveri e vetëdeklaruar dhe kishte emëruar organet ose institucione të ndryshme në përbërjen e vet, për shembull kemi parë që kishte Ministri Mbrojtje, instanca të tjera, por nga ana tjetër, nuk bëhej fjalë për një shtet, sepse nuk kishte asnjë arkitekturë ku mbështeteshin këto organet e emëruara”, tha Duncan në përgjigjen e tij karshi pyetjes së gjykatësit Barte.

Tutje, gjykatësi Barte e pyeti dëshmitarin se si ishte e mundur që UÇK-ja të çarmatosej brenda tre muajsh.

“Është e mundur, se mënyra se si funksiononte marrëveshja ishte që të shpërbëhej struktura e komandës që ekzistonte, nuk kishte hierarki, por kishte  një lloj strukture, sepse ekzistonin komandantët e zonave ishte Agim Çeku dhe qëllimi i marrëveshjes ishte të ndahej kjo nga krahu politik iu vetëdeklaruar. Këtë nuk e ka realizuar krahu politik. Pra, ne, përmes shkëputjes se krahut ushtarak, ne patëm mundësi ta realizonim këtë gjë, sepse ua kam thënë shpesh se bëhej fjalë për një grup heterogjen njerëzish”, deklaroi tutje dëshmitari Duncan në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara në Hagë.

“Dje keni thënë që gjenerali Çeku ka qenë përgjegjës për çarmatimin nga ana e UÇK-së. A jeni në dijeni nëse gjenerali Çeku i ka raportuar dikujt nga UÇK-ja”, ishte pyetja e radhës që gjykatësi Barte e parashtroi për dëshmitarin Duncan.

“A jeni në dijeni nëse gjenerali Çeku i ka raportuar dikujt nga UÇK-ja, apo dikujt në qeverinë e përkohshme të Kosovës, dhe nëse thoni po, kujt i ka raportuar”, pyeti tutje gjykatësi.

 “Unë nuk e di se çfarë ka bërë ai, por ai nuk mendohej ose supozohej t’i raportonte askujt lidhur me atë çfarë po bënte. Kjo ishte e qartë në kushtet e marrëveshjes, dhe kemi parë në fakt këtë shembullin shumë insistues të palës ose krahut politik që u mundua të merrte në dorë kontrollin, kjo nuk ishte diçka jo e papritur, ishte diçka që mund të pritej, dhe për shembull Thaçi në dikutimet gjatë takimit të 19 qershorit nuk dukej që e kuptonte ose e vlerësonte plotësisht se çfarë do të ndodhte nëse ata do ta nënshkruanin marrëveshjen. Krahu politik nuk do të kishte më kontroll, ideja ishte që krahu politik më do të shpërbëhej, dhe për këtë arsye ishte e qartë se cili ishte qëllimi i  marrëveshjes”, tha Duncan.

Duncan pyetet për demilitarizimin e UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes, ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Duncan.

Seanca po vazhdon me pyetjet e prokurorit, Matt Halling. Sërish u kthye diskutimi për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së që u nënshkrua nga Hashim Thaçi. Gjatë kësaj seance u shfaq zëri i Hashim Thaçit gjatë procesit që po zhvillohej ndaj tij në Hagë, derisa ishte pyetur pse ishte ai që kishte nënshkruar marrëveshjen e jo Agim Çeku si ishte paraparë në fillim. Aty dëgjohet Thaçi duke thënë se ai e nënshkroi pasi u tërhoq Çeku. 

“Në momentet e fundit është ndërruar emri i Çekut është zëvendësuar me timin. Mendoj se edhe ai mund ta sqarojë këtë rrethanë, pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi”, dëgjohej Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur ishte pyetur në një nga seancat për këtë çështje. 

“Ju pashë që po qeshnit në një moment, Hashim Thaçi tha se Agim Çeku u largua përpara se të nënshkruhej marrëveshja, kjo nuk është e saktë apo jo”, e pyeti prokurori dëshmitarin. 
“Jo”, u përgjigj dëshmitari.

“Thaçi tha se emri i tij u ndryshua me të Agim Çekut, dhe nuk u ndryshua titulli, mbeti titulli kryekomandant. Nuk ka ndodhur kështu apo jo?”, pyeti tutje prokurori. 

“Po, nuk ka ndodhur kështu”, u përgjigj Duncan.

Aty u shfaq edhe një intervistë e Agim Çekut e cila u lexua nga prokurori. 

“Kur e pyetën se çfarë mendon se do të ndodhë në Kosovë pasi të përfundojë lufta, nëse do të jetë e pavarur apo rajon i pavarur i Serbisë, ai u përgjigj: Unë jam një ushtar, detyra ime është të kujdesem për ushtrinë, situatën në fushëbetejë dhe që lufta të përfundojë me sukses. Ai premtoi që do të luftojë derisa forcat besnike të Sllobodan Millosheviqit të dëboheshin nga Kosova dhe t’ia linte politikën Qeverisë që drejtonte Hashim Thaçi”, ishte teksti i shkëputur nga një intervistë e Agim Çekut që e lexoi prokurori .

Ai pyeti dëshmitarin Duncan, nëse e dinte që Agim Çeku ka thënë që është pjesë e një Qeverie që drejtohet nga Hashim Thaçi?.

“Jo nuk thotë kështu këtu”, iu përgjigj dëshmitari prokurorit.

“A e dini ju se ia ka thënë që do të luftonte deri sa t’i dëbonte forcat e Sllobodan Millosheviqit nga Kosova dhe do ia linte politikën Qeverisë që udhëhiqte Hashim Thaçi?”, vazhdoi me pyetje prokurori, Halling.

“Po këtë thotë, por nuk thotë që jam pjesë e Qeverisë. Mbase, nuk e kuptova unë mirë pyetjen tuaj, ju kërkoj ndjesë për këtë, por në fjali thuhet, dy fjali: Unë jam ushtar profesionist, kam një rol tjetër dhe politikën ia lë Qeverisë sonë që drejtohet nga Hashim Thaçi. Kjo përputhet dhe me atë që kam thënë unë në dëshminë time kur thash që ata punonin si ekip se bashku, unë do bëjë punën time, ti do bësh punën tënde. Pra, Agim Çeku ka folur për aspektin ushtarak ndërsa Thaçi ka mbuluar aspektin politik. Kështu ka qenë dinamika. Besoj që u përgjigja”, tha dëshmitari Duncan. 

“Në fakt, ju interpretuan dëshminë time, ju po thoni kështu ka thënë, por unë po ju pyes a e dini që e ka thënë këtë Agim Çeku në maj të 1999-ës”, pyeti prokurori. 

“Jo”, tha Duncan.

Tutje, aty u shfaq një dokument i shfaqur që i ishte adresuar kryetarit të Administratës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Kushner, që mbante datën e 10 gushtit 1999, kërkesë për mbajtje armësh me një listë emrash e që në fund mbante nënshkrimin e Hashim Thaçit si Komandat i Përgjithshëm i UÇK-së dhe vulën e UÇK-së.

Prokurori e pyeti dëshmitarin Duncan, nëse  e dinte që Hashim Thaçi e ka përdorur këtë titull në dokumente të tjera, Duncan tha se nuk kishte pse ta përdorte.

“Më kujtohet kjo problematikë. Është gusht sikurse e pamë ku pavarësisht marrëveshjes është bërë kërkesë nga disa anëtarë të vazhdojnë të mbanin armë, dhe gjenerali Jackson dhe personel i tij do ta kishin vënë re, në fakt që kërkesa nuk duhej të kishte ardhur nga Thaçi, por nga gjeneral Çeku, e kjo është bërë shumë e qartë në marrëveshje si do të funksiononte hierarkia. Është dokument shumë interesant ky, por kjo është një orvatje për t’i dhënë Hashim Thaçit një rol në marrëveshjen e demilitrarizimit të UÇK-së. Nuk duhej të ishte lejuar aso kohe, e mbaj në mend që ka dalë si problem aso kohe”, tha Duncan.

“Por , ju këtë kërkesë nuk e kishit parë më përpara”, pyeti prokurori.

“Këtë kërkesë në këtë version jo, më ka informuar KFOR-i që ka ardhur një kërkesë e ngjashme. Dhe diskutimi i vetëm ka qenë a ta lejojmë apo jo”, tha dëshmitari.

Duncan vazhdon dëshminë në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdon dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes, ish-këshilltari politik i Wesley Clark, John Duncan.

Seanca vazhdoi me diskutimet e mbetura një ditë më parë, me pyetjet e prokurorit, Matt Halling.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se deri në çmasë ishin të përfshirë komandantët e zonave e konkretisht Ramush Haradinaj, në negociatat e 17 qershorit 1999, për nënshkrimin e marrëveshjes së demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjithashtu u pyet nëse i kujtohen emrat e përveçëm të komandantëve të zonave që ishin të pranishëm atë ditë.

“Jo, ju kërkoj ndjesë”, tha Duncan.

“Jam i sigurt që ju merreni me këtë çështje përditë, ndërkohë që unë personalisht nuk jam marrë në këtë nivel detajesh lidhur me këtë çështje gjatë 26 viteve të fundit. Më kujtohen disa figura kryesore, disa persona kyç, sikurse Remi, Haradinaj. Nëse më tregoni një fotografi sikurse pamë në rastin e videos dje, mund të më tregoni personat ju, mund të mi thoni emrat e unë mund t’i konfirmoj. Nëse më kërkoni që sot t’i përmend emrat e komandantëve pas 26 vitesh, nuk mund ta bëjë këtë”, i tha prokurorit dëshmitari.

Në ditën e dytë të dëshmisë së Duncan pranë Dhomave të Specializuara u shfaq një pjesë e një interviste të Ramush Haradinajt në vitin 2001 që kishte të bënte me transformimin e UÇK-së.

Prokurori tha se në këtë pjesë Haradinaj nuk flet për negociatat e 19 qershorit, megjithatë tha se flet diçka për datën 17 qershor.

“A është e mundur që Haradinaj ka qenë i pranishëm gjatë gjithë negociatave?”,  pyeti prokurori dëshmitarin e mbrojtjes.

“Mbase do të ishte mirë të shikonim fotografinë që kishte të bënte me banketin, kjo mund të jap përgjigjen e saktë”, tha Duncan.

Ndërkohë, një tjetër fotografi u shfaq aty ku shiheshin Agim Çeku e Jakup Krasniqi, derisa prokurori e pyeti nëse ishin komandantë zone.

“A mund të ma sqarosh pak pyetjen” , tha dëshmitari.

“Përgjigjja e thjesht është po, po përgjigjja e thjeshtë është jo. Ne të gjithë e dimë këtë gjë, e dini ju, e di unë, e di gjithë bota. Kështu që nuk e kuptoj ku doni të dilni me pyetjen tuaj”, tha Duncan.

Tutje në ekran u shfaq edhe fotografia e Xhavit Halitit, për të cilin prokurori e pyeti dëshmitarit se kush ishte.

“Jemi futur në një fushë të ndjeshme zotëri kryegjykatës, unë e di kush është ky zotëri, ai është një person me interes të veçantë për ne, por nuk jam i sigurt nëse jam i përgatitur ose nëse jam i gatshëm të tregoj se kush është ky person”, tha dëshmitari.

“A është Xhavit Haliti ky person?”,pyeti prokurori.

“Ky nuk është personi që mua më kanë thënë që ka qenë Xhavit Haliti në takimin në Tiranë”, tha dëshmitari.

“Ky person me këtë bluzën me shirita të zinj e ngjyrë blu, e dini nëse ka qenë komandant zone?”, pyeti prokurori.

Këtu, dëshmitari kërkoi të kalohej në seancë private.

Ndërkohë, pasi u kthyen në seancë publike, në ekran u shfaq fotografia e Kadri Veselit për të cilin prokurori e pyeti dëshmitarin nëse e dinte kush ishte ai.

Duncan tha se nuk i dinte emrin, por se sa i kujtohej ishte një nga njerëzit me funksione të larta në funksionin policor dhe të zbulimit.

“Si e dini një gjë të tillë?”, pyeti prokurori.

“Nuk mund t’ua them një gjë të tillë”, tha dëshmitari.

“Nëse them ky është Kadri Veseli , ke ndonjë arsye për të kundërshtuar?”,  e pyeti atë prokurori.

“Jo, nuk kam arsye për të kundërshtuar”, tha Duncan.

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, dëshmon John Duncan

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), me dëshminë e John Duncan.

Duncan, dje theksoi se gjatë kohës sa ka shërbyer në Kosovë nuk ka pasur asnjë dëshmi për ekzistencën e një Shtabi të Përgjithshëm të UÇK-së sipas kuptimit ushtarak, duke shtuar se një gjë e tillë e ka dëgjuar vetëm në deklarata politike.

“Në kohën që kam qenë atje nuk kam pasur asnjë dëshmi që të ekzistojë një Shtab i Përgjithshëm sipas kuptimësisë nga pikëpamja ushtarake. Gjatë kohës time unë kam dëgjuar që të përmendet Shtabi i Përgjithshëm, por këtë në deklarata politike kryesisht”, tha Duncan.

Ai tutje tha se përveç kësaj, nga aktakuza e ka kuptuar që një organ i tillë pretendohet se ka ekzistuar që nga vitet e ’90-ta.

“Nga aktakuza kam kuptuar që është krijuar në mes të viteve ’90-të, kur UÇK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme dhe shumë e vogël dhe po dëshironin që t’i jepnin tituj të mëdhenj”, shtoi ai.

I pyetur nga prokuroria për ish-figurat e UÇK-së Azem Syla dhe Sokol Bashota dhe nëse i njeh ata, ai tha se për të parin është emër që e ka dëgjuar, derisa për të dytin që nuk është mirë me kujtesën e emrave.

Kur prokurori Matt Halling i tha se çka nëse i thuhet se Azem Syla ka qenë ish-komandant i përgjithshëm i UÇK-së dhe Sokol Bashota ish-zëvendëskomandant, dëshmitari Duncan tha se emrat i ka të dëgjuar, por tha se nuk i mban mend as emrat e Zonave Operative siç janë ndarë në UÇK.

Dëshmitari theksoi se nuk kishte parë asnjë komunikatë të UÇK-së që të përmendte ekzekutime ose likuidime ndaj “kolaboracionistëve” apo “tradhtarëve të kombit”. 

Megjithatë, dëshmitari pranoi se kishte hasur shpesh komunikata të tjera të UÇK-së, të cilat i merrte përmes GDOM-it, Kryqit të Kuq ndërkombëtar ose shtypit, dhe se shumica përcillnin mesazhin se UÇK-ja ishte një organizatë e mirëstrukturuar dhe e ardhmja e Kosovës.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale