Enver Petrovci nderohet si mjeshtër i skenës dhe mentor i brezave të rinj
BKT
Lajme

Enver Petrovci nderohet si mjeshtër i skenës dhe mentor i brezave të rinj

Valbona Thaçi / RTKLive

Me një mbledhje komemorative të mbushur me emocion e dhimbje, kolegë, studentë dhe përfaqësues të artit dhe arsimit nderuan jetën dhe veprën e Enver Petrovcit. Aktori dhe pedagogu i njohur u vlerësua si një figurë kyçe e teatrit dhe filmit, si dhe mentor i brezave të rinj, duke lënë një trashëgimi të thellë artistike që do të mbetet e paharrueshme.

Agron Shala tha se ndarja nga profesori është një boshllëk i madh për ta. “Ne studentët e profesorit jemi të bashkuar sot me ju në dhimbje dhe mirënjohje të thellë. Për ne është një boshllëk dhe një humbje. Sot ai po largohet fizikisht, por secili prej nesh mbartim copëza nga thesari i tij, nga mësimet, nga qasja e tij e sinqertë, konkrete e shumë e veçantë. Ai vendosi binarët e aktrimit në këtë vend dhe kjo është trashëgimi që nuk do të harrohet kurrë. Ai nuk ishte vetëm profesor, por ishte udhërrëfyes, mentor, shpesh edhe një prind i dytë. Në emër të gjithë studentëve, lamtumirë profesor, mirënjohës përjetë, pusho në paqe Enver Petrovci”, u shpreh Shala.

Në emër të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Fakultetit të Arteve, foli dekani Hazir Haziri.

Ai e cilësoi Enver Petrovcin si një figurë të çmuar të artit dhe kulturës.

“Një njeri që la gjurmë të thella në teatër, film dhe në arsimin universitar. Emri i tij është sinonim i artit të vërtetë në skenë dhe në ekran. Enveri ishte gjithmonë i jashtëzakonshëm. Ai luajti kryerolet e dramaturgjisë botërore, duke sjellë me mjeshtëri forcë artistike që rrallë shihen. Çdo interpretim i tij ishte një përjetim i fuqishëm, një leksion i gjallë arti, një rol ndryshe që mbetet edhe sot në kujtesën e publikut dhe të kolegëve të tij. Enver Petrovcin nuk do ta kujtojmë vetëm si aktor të madh; një pjesë po aq e rëndësishme e jetës së tij është që ishte i lidhur me Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Enveri, në kulmin e karrierës së tij, me përkushtim vuri në plan të parë misionin e tij për rekrutimin e brezave të rinj. Kjo ishte një sakrificë për një vizion të madh, të kontribuojë në ndërtimin e një shkolle të vërtetë të aktrimit, nga ku dolën dhe po dalin artistë që sot janë krenaria e skenave dhe ekraneve tona”, tha Haziri.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku e quajti Enver Petrovcin një mjeshtër të madh të skenës dhe një figurë të paharrueshme të artit shqiptar.

“Enver Petrovci, mjeshtër i madh i skenës në teatër, në film, njeriu i dashur i publikut, na e la një zbrazëtirë të madhe, ashtu siç na la edhe shumë mësime të çmuara. Kjo zbrazëtirë nuk mbushet dot, por mësimet duhet të jetojnë. Një njeri i dashur e serioz, brutal në sinqeritet dhe i drejtpërdrejtë, kjo është figura e Enverit, të cilën ne sot e përcjellim me pikëllim të madh. Ai ishte edhe Hamleti ynë, edhe Mgbethi, edhe Cezari; ishte baba i teatrit të ‘Babës’, mentori e profesori i shumë prej artistëve që sot na dhurojnë art cilësor”, tha Çeku.

Duke i shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve, miqve, kolegëve, nxënësve e publikut të tij, ai tha se ata që e kanë parë një herë në skenë, nuk kanë mundësi ta harrojnë, teksa tha se janë të rralla rastet kur e sheh një figurë dhe menjëherë të vjen në mendje zëri i tij.

“Çmime kishte pa kufij, e duartrokitjet e përcollën gjithmonë, pa u ndalur asnjëherë. Vendi ynë është krenar me figurën dhe punën e tij. Ai jetoi jetën siç deshi, kurse neve na e la lojën për të cilën nuk e dinim që kemi pasur nevojë. Prehu në paqe Enver Petrovci, emri mos të të harrohet kurrë, dhe për këtë do të kujdesemi të gjithë”, shtoi Çeku.

E të pranishmëve në këtë mbledhje komemorative me një fjalë të ngarkuara emocionalisht iu drejtua edhe vajza e aktorit, Vanesa Petrovci. Ajo e përkujtoi të atin jo vetëm si artist e profesor, por mbi të gjitha si një udhëzues për jetën.

“Para se me qenë profesor i aktrimit, regjisë e artit në përgjithësi, ka qenë profesor për jetën. Na ka mësuar si me dashtë e si me e trajtua jetën, na ka mësuar si me dashtë kombin, vendin dhe të qenit shqiptarë si diçka parësore. Faleminderit që ke qenë babai im e që ke qenë ai që ke qenë, faleminderit për fëmijërinë e jetën e bukur që na e fale, faleminderit për këshillat, udhëzimet e dashurinë”, u shpreh ajo.


MË SHUME NGA Lajme