Gërvalla takon homologun e Hondurasit, synohet thellimi i bashkëpunimit
BKT
Lajme

Gërvalla takon homologun e Hondurasit, synohet thellimi i bashkëpunimit

RTKlive

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe Hondurasi shohin potencial për të afruar qytetarët e tyre përmes shkëmbimeve kulturore, arsimore dhe turizmit. Ajo ka bërë të ditur se ka mirëpritur në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork Ministrin e Jashtëm të Hondurasit, Javier Bu Soto.

Në qendër të bisedës, sipas Gërvallës, kanë qenë mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, për nxitjen e investimeve dhe për marrëveshje që krijojnë kushte më të favorshme për bizneset dhe qarkullimin ekonomik mes dy vendeve.

“Njësoj të rëndësishme mbeten konsultimet e rregullta mes ministrive të jashtme, bashkëpunimi ndërmjet akademive diplomatike dhe ngritja e lidhjeve parlamentare që forcojnë partneritetin politik me shtetin e Hondurasit,” ka shkruar ministrja në detyrë.

Ajo ka theksuar gjithashtu se lehtësimi i lëvizjes mbetet gjithashtu një hap i natyrshëm në këtë drejtim.

"Kosova tashmë e ka hapur derën për qytetarët e Hondurasit dhe presim që edhe Hondurasi së shpejti të ndërmarrë të njëjtin hap”, ka shkruar Gërvalla në Facebook. 


MË SHUME NGA Lajme